I njëjti skenar është përsëritur dhe ditën e sotme përpara Parlamentit të Shqipërisë ku automjetet e deputetëve e anëtarëve të kabinetit Rama, janë qëlluar me shishe uji e vezë nga protestuesit sapo kanë lënë ambientet e Kuvendit.

Pas përfundimit të seancës, socialistët kanë lënë ambientet e Kuvendit, por janë pritur me sulme nga protestuesit. Pavarësisht forcave të Policisë që ndodhen përpara hyrjes në Parlament, protestuesit nuk janë stepur, ndërsa kryetari i Kuvendit Niko Peleshi e të tjerë eksponentë të PS nuk kanë arritur dot të largohen teksa daljet janë bllokuar.

Qytetarët u mblodhën te Parlamenti që prej nisjes së seancës plenare në orën 10:00. 8 protestues janë shoqëruar nga policia ndërsa 3 efektivë të policisë kanë mbetur të plagosur si pasojë e përplasjeve. Një prej policisë është goditur dhe me gurë në kokë.

Protestës ka tentuar t’i bashkohen opozitarë, si Adriatik Lapaj apo dhe deputeti i ‘Shqipëria Bashkë’ Redi Muçi, por janë larguar nga turma. Thirrjet e qytetarëve drejtuar Parlamentit dhe deputetëve  janë ‘Parlamenti i krimit’, ‘Nuk na përfaqësoni’, ‘Opozitë e shitur.

Kjo është dita e dytë që përpara Parlamentit ka përplasje. Të hënën, kur u mbajt një tjetër seancë plenare, protestuesi u mblodhën përsëri duke qëlluar me vezë e shishe uji deputetët. Edhe dje pati 6 persona të shoqëruar, por u liruan përsëri brenda ditës.

/tvklan.al