1 javë nga mbajtja e zgjedhjeve parlamentare të 11 Majit, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njoftoi se është mbyllur procesi i numërimit të votave për subjektet politike për zgjedhësit nga jashtë Shqipërisë.

Në bazë të këtyre shifrave, nga 200 mijë votues nga diaspora, PS ka marrë 122 070 të votave, ose mbi 61% mbështetje. Rezulton se afro dy në tre shqiptarë në diasporë kane votuar PS-në. Ndërsa për koalicionin e PD-së kanë votuar 47 018 emigrantë, ose rreth 24% te votave.

Kjo ishte hera e parë pas viteve 1990 që emigrantët shqiptarë votuan me anë të postës nga vendet ku ata jetojnë e punojnë.

Edhe për subjektet politike, për votat brenda Shqiperise, PS rezulton fitues e me 52.14 %, duke marrë mbi 730 mijë vota. Ndërsa PD-ja dhe aleatët u mbështetën nga 482 086 zgjedhës, duke arritur në 34.27 %.

Në bazë të rezultateve, Partia Socialiste merr 82 mandate në Parlamentin e ardhshëm. Partia Demokratike dhe aleatet e koalicionit për Shqipërinë Madhështore 50 mandate. Partia Socialdemokrate 3 mandate.

Për herë të parë në Parlament hyjnë tre parti te reja, Mundësia e Agron Shehajt me 2 mandate, Lëvizja Bashkë dhe Koalicioni Nisma-Shqipëria Bëhet me nga 1 mandat.

Socialistët kanë fituar bindshëm në 9 qarqe, ndërsa opozita vetëm në qarqet Shkodër, Kukës dhe Lezhë.

Në Parlamentin e ri do të ketë deputetë nga listat e mbyllura dhe të hapura. Nga lista e hapura PS fut 37 deputetë në 10 qarqe, ndërsa PD dhe aleatët e saj vetëm 7 deputetë në 6 qarqe.

Por teksa votat e diasporës nuk ndryshuan konfigurimin e Parlamentit, ajo po ndikon te beteja e kandidatëve për deputetë të rreshtuar në listën e hapur.

Kështu demokrati Isuf Çela e fitoi këtë mandat falë votës së emigrantëve në qarkun e Kukësit, duke parakaluar me 60 vota Shkelqim Shehun. Teksa një garë e fortë po zhvillohet brenda socialisteve në qarkun e Tiranës, ndërmjet Olta Xhaçkes dhe Blerina Gjylametit, ku votat një herë e nxjerrin fituese njërën apo tjetrën, me diferencë të ngushtë votash.

Numërimi i votës preferenciale, për kandidatët e listës se hapur ka përfunduar vetëm për Kukësin, teksa vijon për 11 qarqet e tjera.

Tv Klan