Pas dënimit me 81 vite burg ndaj 4 ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Kuvendi i Shqipërisë pritet të dalë me një qëndrim lidhur me vendimin e dhënë nga Gjykata Speciale e Hagës për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin.
Por ajo që ndan palët politike është forma e qëndrimit zyrtar. Maxhoranca propozon daljen me një deklaratë të përbashkët, ndërsa demokratët, të cilët u shfaqën në seancë plenare me simbolet e UÇK-së kërkuan futjen me procedurë të përshpejtuar të rezolutës së rrëzuar në tetor të vitit të kaluar nga shumica e majtë, në të cilën dënohet genocidi serb në Kosovë.
“Ky vendim përbën një vendim të rëndësishëm dhe të dhimbshëm, jo vetëm për Kosovën, por dhe për historinë dhe kujtesën tonë kombëtare. Sot do të përcjellim një deklaratë të përbashkët nëpërmjet Kuvendit, ku do të shprehim mendimin e Kuvendit të Shqipërisë për këtë vendim. Komisioni për Çështjet Europiane dhe Punët e Jashtme po finalizon detajet e deklaratës”, tha Peleshi.
“Rezoluta është tjetër gjë, se ka të bëjë me gjenocidin serb, ndërsa deklarata e përbashkët e komisionit të jashtë është tjetër gjë. Të zhbëjmë atë të keqe që ju refuzuat ta bëni me kohë”, tha Shehu.
Sali Berisha i cili mbërriti në sallë pasi përfaqësuesit e komisionit të jashtëm ishin ulur në tryezë për të përpiluar dokumentin e përbashkët hodhi akuza në adresë të Kreut të qeverisë, që tha se është përgjëgjës për vendimin e dhënë të mërkurën nga Specialja në Hagë.
“Ai Padrinoja juaj, pas kësaj që ndodhi në Hagë, në qoftë se ka njeri më përgjegjës direkt për atë që ndodhi, është Aleksandër Vuçiç dhe argati i tij Edi Rama. Ku e keni tani, e keni parë të çelë ndonjë gojë, më thoni pak çfarë tha ai? Thuaj çfarë fjalë ka shqiptuar? Apo ai ministri i tij?“, tha Berisha.
Akuzat në adresë të kundërshtarit të tij në qeveri lidhur me vendimin ndaj ish krerëve të UÇK-së i vijoi edhe jashtë seancës plenare.
“Tha marre, në atë parlament kam thënë i futi thikën pas shpine Kosovës. Kur ishte për bordin e paqes ky kishte paragrafë të tërë për Hagën, përpjekje e tij për të shpëlarë krimin e shëmtuar që ka bërë ndaj Kosovës.”, tha Berisha.
Pavarësisht debateve, njëzëri klasa politike në Tiranë e ka dënuar vendimin e dhënë ndaj ish krerëve të UÇK, duke e cilësuar atë të turpshëm dhe të padrejtë.
/tvklan.al












Botërori 2026 