Ashtu siç paralajmëruan edhe në Konferencën e Kryetarëve, socialistët e rrëzuan në Kuvend kërkesën e demokratëve për të shtyrë deri në tetor afatin e punës së komisionit të reformës territoriale.

Opozita akuzoi shumicën se po vepron në mënyrë të njëanshme me qëllim shkrirjen e të paktën 20 bashkive nga 61 që janë aktualisht.

“Ajo që po bëni është politike. Doni të shkrini bashki pa u konsultuar me qytetarët, përfaqësuesit vendorë dhe vetë kryetarët e bashkive”, tha Boçi.

E vetmja ofertë e maxhorancës për opozitën ishte prezantimi i propozimeve vetëm pasi në kuvend të lexoheshin dy raportet e palëve për ndarjen e re territoriale.

“Iku treni në 7 pa pesë, ejani të lexojmë raportet, më pas bëni propozime”, tha Balla.

Sali Berisha I cili u shfaq në foltore me raportin e opozitës në dorë akuzoi shumicën për shkelje të ligjit dukë paralajmëruar ashpërsim të aksionit opozitar.

“Duhet të dyja raportet të paraqiten në komision, të debatohen pastaj të vijnë në kuvend. Po ju nuk keni ligj, as normë as moral”, tha Berisha.

Por situata në sallë përshkallëzoi, pasi demokratët nuk lejuan bashkëkryetarin socialist të komisionit të reformës territoriale që të prezantojë raportin e shumicës.

Në kushtet e një pushimi të zgjatur, Sali Berisha akuzat si dhe propozimet e opozitës i bëri të ditura jashtë për gazetarët.

“Rama po paraqet një raport në kundërshtim me ligjin. Projekti ynë parashikon nga 90 në 110 bashki dhe rikthimin e komunave”, tha Berisha.

Edhe pas rikthimit në sallë, opozita vijoi me skenarin e bllokimit, çka çoi në një tjetër ndërprerje brenda pak orëve.

/tvklan.al