Një raketë ruse e tipit Kh-101, e përdorur në një sulm ndaj Kievit në maj 2026, zbuloi një detaj të papritur. Kur ekspertët ukrainas analizuan mbetjet e saj, konstatuan se raketa ishte pajisur me komponentë të prodhuar në Japoni, ndonëse eksporti i teknologjive të tilla drejt Rusisë është kufizuar ndjeshëm pas vendosjes së sanksioneve ndërkombëtare.
Zbulimi ngriti pikëpyetje mbi mënyrën se si Moska vazhdon të sigurojë teknologji të avancuar nga një vend që ka dënuar pushtimin rus të Ukrainës dhe mbështet aktivisht Kievin.
Sipas një investigimi të The New York Times, i bazuar në informacione të siguruara nga zyrtarë të pesë shërbimeve perëndimore të inteligjencës, dhjetëra agjentë rusë të dëbuar nga vendet perëndimore janë zhvendosur në Japoni, duke e shndërruar Tokion në një nga qendrat kryesore të operacioneve për sigurimin e teknologjisë që i nevojitet industrisë ushtarake ruse.
Pse Japonia?
Ekspertët vlerësojnë se legjislacioni relativisht i butë i Japonisë për spiunazhin, së bashku me industrinë e saj të zhvilluar të teknologjisë së lartë, e kanë bërë vendin një hallkë kyçe në përpjekjet e Rusisë për të anashkaluar sanksionet.
Sipas vlerësimeve të qeverisë ukrainase, rreth 90 për qind e raketave dhe dronëve rusë përmbajnë komponentë japonezë.
Me zhvillimin e luftës në Ukrainë, ku përdorimi i dronëve dhe sistemeve elektronike ka marrë një rol vendimtar, Rusia është përballur me nevojën për të siguruar komponentë të avancuar elektronikë, pajisje industriale dhe makineri precize. Pas tërheqjes së shumë kompanive perëndimore dhe japoneze nga tregu rus për shkak të sanksioneve, Moska ka intensifikuar përpjekjet për t’i siguruar këto produkte në mënyrë të tërthortë.
Në qendër të operacionit, një njësi sekrete e inteligjencës ushtarake ruse
Sipas hetimit, operacioni drejtohet nga e ashtuquajtura Drejtoria e 20-të, një njësi sekrete e shërbimit të inteligjencës ushtarake ruse (GRU), e specializuar në sigurimin e teknologjisë ushtarake.
Agjentët e kësaj strukture veprojnë nën mbulim diplomatik ose biznesi, duke blerë apo siguruar teknologji me përdorim ushtarak dhe civil, të cilën më pas e transportojnë fshehurazi drejt Rusisë.
Në krye të këtij rrjeti, sipas The New York Times, ndodhet Maksim Vladimiroviç Filçenkov, një oficer veteran i GRU-së, i cili zyrtarisht paraqitet si drejtues i zyrës së kompanisë ajrore ruse Aeroflot në Tokio.
Burime të inteligjencës perëndimore thonë se pozicionet në Aeroflot janë përdorur prej dekadash nga agjentët rusë si mbulesë për operacionet e tyre të inteligjencës.
Filçenkov, i cili kishte shërbyer më parë në Japoni, kishte krijuar lidhje me kompani logjistike që transportojnë mallra nga Japonia drejt Rusisë.
Sipas zyrtarëve perëndimorë, këto rrjete përdoren për të siguruar teknologji të ndjeshme përmes dokumentacionit të rremë dhe destinacioneve të ndërmjetme.
Teknologjia kalon përmes vendeve të treta
Hetimi tregon se komponentët nuk transportohen drejtpërdrejt në Rusi, por dërgohen fillimisht në vende të treta, të cilat më pas i rieksportojnë.
Një nga destinacionet kryesore është Vietnami, i cili, sipas të dhënave të cituara nga gazeta amerikane, është bërë një ndër furnizuesit më të mëdhenj të Rusisë me teknologji të ndjeshme me origjinë japoneze.
Dokumentet e transportit tregojnë se Japonia mbetet një nga burimet kryesore globale të teknologjisë me përdorim të dyfishtë, civil dhe ushtarak, që kërkohet nga Kremlini.
Presion ndaj Tokios
Sipas raportit, autoritetet ukrainase u kanë paraqitur homologëve japonezë prova se komponentë të prodhuar në Japoni janë përdorur në armët ruse gjatë sulmeve në Ukrainë. Edhe qeveritë perëndimore kanë paralajmëruar vazhdimisht Tokion se teknologjia japoneze po përfundon në Rusi përmes rrjeteve të kontrabandës.
Megjithatë, The New York Times vëren se reagimi i autoriteteve japoneze ka qenë i ngadaltë, pavarësisht mbështetjes së fortë politike për Ukrainën.
Që nga fillimi i pushtimit rus, Japonia iu bashkua Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian në vendosjen e sanksioneve kundër Moskës dhe, për herë të parë pas Luftës së Dytë Botërore, nisi të dërgojë ndihmë ushtarake për Ukrainën, përfshirë jelekë antiplumb dhe helmeta.
/tvklan.al












Botërori 2026 
