Parisi do të kthehet sonte në qendrën e botës së futbollit. Paris Saint-Germain pret Bayern Munich në aktin e parë të gjysmëfinales së UEFA Champions League, me sfidën që nis në orën 21:00 që pritet të jetë një spektakël i vërtetë.
Kampionët në fuqi të Europës vijnë në këtë përballje me besim maksimal, pasi eliminoi Liverpool në një duel të fortë dhe plot intensitet. Parizienët treguan efikasitet në momentet kyçe cilësi që i kanë munguar në të kaluarën në këtë fazë të kompeticionit. Tashmë, ëndrra për finalen duket më reale se kurrë.
“Këto janë dy ekipet më të mira të Europës. Edhe Arsenal ka pasur një sezon të shkëlqyer. Bayern është ndoshta pak mbi ne pasi ka humbur vetëm 2 ndeshje, por nuk ka ekip më të mirë se ne. Duhet të sulmosh më shumë se sa të mbrohesh nëse do të fitosh. E dimë sa e vështirë do të jetë kjo, gjithsesi nuk jemi këtu për të negociuar. Duam të fitojmë”, tha trajneri i PSG-së, Luis Enrique.
Në anën tjetër, Bayern Munich vjen me autoritetin e një gjigandi evropian, pasi eliminoi Real Madrid në një përballje titanësh. Bavarezët mbështeten te përvoja, disiplina taktike dhe mentaliteti fitues, armë që shpesh bëjnë diferencën në netët e mëdha. Një mungesë e rëndësishme do të jetë ajo e trajnerit Kompani në stol për shkak pezullimi.
“Këto ndeshje kanë qënë gjithmonë shumë të forta. Kemi lojtarë me përvojë për ndeshje si kjo. Do të jenë ata që do vendosin rezultatin. Do të vendoset nga besimi dhe cilësia e lojtarëve. Të katër skuadrat ëndërrojnë titullin dhe pres një ndeshje tepër intensive”, tha trajneri i Bayernit, Vincent Kompany.
Atmosfera në “Parc des Princes” pritet të jetë elektrizuese, me tifozët që do të krijojnë një presion të jashtëzakonshëm për miqtë dhe një shtysë të madhe për vendasit.
PSG synon të marrë një avantazh të rëndësishëm përpara sfidës së kthimit në Gjermani, ndërsa Bayerni kërkon një rezultat që do t’i japë kontrollin e kualifikimit në ndeshjen e dytë. Dy skuadrat luajtën edhe në fazën e grupeve të këtij sezoni, me Bayern që koleksionoi 3 pikët.
Klan News
/tvklan.al












Botërori 2026 
