Publikohen momentet e sekuestrimit të dy anijeve tregtare në ngushticën e Hormuzit nga Garda Revolucionare Iraniane. Irani thotë se për momentin është e pamundur hapja e kanalit, ndërsa Donald Trump deklaron se nuk ka asnjë presion për fundin e luftës.
Këto pamje tregojnë momentin kur forcat e Gardës Revolucionare iraniane ndërhyjnë për të sekuestruar anijen greke “Epaminondas”, e cila lundronte nën flamurin e Liberisë. Anija u ndalua pasi u përpoq të kalonte në kanalin e Hormuzit pa iu nënshtruar kushteve të Teheranit dhe duke fikur sistemet e navigimit.
Kjo është njëra nga dy anijet e sekuestruara të mërkurën, së bashku me mjetin “MSC Francesca” me flamur të Panamasë, ku gjendeshin edhe katër detarë malazezë. Një anije e tretë u godit me armë zjarri, por fatmirësisht nuk u raportua për të plagosur. Ky shënon rastin e parë që prej nisjes së konfliktit që Irani sekuestron zyrtarisht anije mallrash në këtë arterie jetike.
Kryenegociatori iranian, Mohammad Bagher Ghalibaf, deklaroi se rihapja e kanalit të Hormuzit është aktualisht “e pamundur”. Sipas tij, bllokada amerikane dhe shkeljet flagrante të armëpushimit nga SHBA dhe Izraeli janë pengesa kryesore për lundrimin e lirë. Presidenti Masoud Pezeshkian shtoi se bisedimet e vërteta nuk mund të nisin nën kërcënimin e bllokadës navale.
Në krahun tjetër, Presidenti Donald Trump u shpreh se nuk ndjen asnjë presion kohor për përfundimin e luftës me Iranin. Shtëpia e Bardhë bëri të ditur se Trump është i kënaqur me rezultatet e bllokadës, e cila po e mbyt ekonomikisht Teheranin. Më herët, ai tha se një raund i ri negociatash mund të zhvillohet brenda 72 orësh.
Komanda Qendrore e ushtrisë amerikane njoftoi se deri më tani ka bllokuar kalimin e 31 anijeve, kryesisht depozitues nafte, që tentuan të hynin ose dilnin nga portet iraniane. Ndërsa bisedimet në Pakistan mbeten të ngrira, situata në ngushticë ka shkaktuar ndërprerjen më të rëndë të furnizimit me energji në historinë globale.
Tv Klan
/tvklan.al












Botërori 2026 