Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara (AAPSK) ka publikuar për herë të parë një katalog me pasuritë e konfiskuara.

Ky katalog përmban një listë të detajuar të pasurive të konfiskuara me vendim gjykate të formës së prerë, duke përfshirë informacion të plotë mbi llojin, vendndodhjen dhe statusin aktual të tyre.

Sipas AAPSK, qëllimi kryesor i këtij publikimi është të sigurojë informimin e plotë të publikut dhe palëve të interesuara, sa i pwrket procesit tw administrimit të pasurive të konfiskuara.

Nisma për hartimin dhe publikimin e katalogut u ndërmor nga Kryeadministratorja e AAPSK, Risena Xhaja.

Gjithashtu, AAPSK është në proces të hartimit dhe publikimit të katalogut për pasuritë e sekuestruara, ndërkohë që po realizon një inventarizim të plotë të të gjithë databazës së pasurive nën administrim.

Katalogu i pasurive të konfiskuara është i disponueshëm për publikun në faqen zyrtare të Agjencisë dhe do të përditësohet periodikisht,  për të reflektuar ndryshimet dhe zhvillimet e reja.