Sot është Dita Botërore e Teatrit, prandaj në studion lëvizëse të “Aldo Morning Show” në Tv Klan mëngjesin e kësaj të enjteje ishte regjisori Kiço Londo. Teksa flet për rendësinë e teatrit në jetën shoqërore të secilit, ai tregohet i sinqertë kur thotë se teatri e ka humbur rëndësinë dhe peshën e vet. Sipas tij në krahasim me vitet ’90, ka gjithnjë e më pak shfaqje dhe më pak spektatorë.
“Teatri para viteve ’90 ka pasur më shumë shfaqje, më shumë figura të teatrit. Jo vetëm për intelektualët, por në përgjithësi teatri ka qenë një nevojë. Njerëzit nuk shkonin vetëm për propagandë, por më shumë për nevojën, për peshën që ka. Pas viteve ’90, orientimi për teatrin ka humbur. Ka qenë me faza, ka pasur të ndritura, ka pasur dhe faza rënieje, siç është tani në një rënie ku publiku është larguar nga teatri. Mendoj se nuk është faji i publikut. Ka një sërë faktorësh, por fajin kryesor e ka teatri, i cili duhet të bëhet më interesant për publikun.”
Kiço Londo rendit faktorët të cilët kanë ndikuar në uljen e interesit për teatrin, ku fajin më të madh ia hedh vetë këtij të fundit. Sipas tij teatri duhet të behët njësh me përditshmërinë dhe agjendën e qytetarit, të rregulloja politikat dhe menaxhimin e tij të brendshëm, i cili aktualisht mbetet një problem goxha serioz.
“Teatri ka pasur një qëllim dhe brenda saj politika ka pasur punën e vet. Tani që politika “nuk ekziston më”, tani njerëzit janë larguar nga teatri. Për këtë përgjegjësia natyrisht është e dyfishtë, por më e madhe përgjegjësia është e teatrit. Të mos harrojmë që atëherë ka pasur një televizion, kurse tani bota virtuale është bërë dominante. Megjithatë teatri duhet të gjejë forma, mënyrë dhe qasje të reja në mënyrë që të rifitojë peshën e vet. Ka aktorë shumë të mirë, regjisorë shumë të mirë, figura dhe njerëz shumë të talentuar, të cilët kur u jepet mundësia, kur u hapen dyer bëjnë mrekullira. Por, ndikon shumë politikë-bërja dhe menaxhimi…Interesi i njerëzve për teatrin ekziston, i gjithë problemi është menaxhimi, konceptet e reja moderne dhe këndvështrimet artistike. Teatri të bëhet pjesë e agjendës, duhet që teatri të jetë më fleksibël, më i menaxhueshëm.”/tvklan.al