Në Gjermani, studiues të pakënaqur shprehen në Twitter nën #IchbinHannah. Kushtet e pasigurta të punës janë problem edhe në universitete.

“Silke, 49 vjeç, studiuese e letërsisë, ka bllokuar sistemin në gjysmë vendi të përhershëm pune që nga tetori. Përndryshe, pas 20 vitesh studimesh, 4 monografish, 58 artikujsh dhe gati një milioni financimesh prej palëve të treta, do të ndodhesha në rrugë. #IchbinHannah” (Unë jam Hannah)

Këtë dhe mesazhe të ngjashme si ky mund të gjesh me mijëra në twitter nën hashtagun #IchbinHannah që nga mesi i qershorit 2021. Shkencëtarët përshkruajnë përvojat e tyre të karrierës dhe jetës në universitetet gjermane dhe në institutet kërkimore. Kontrata pune të kufizuara në kohë, studime duke marrë ndihmën sociale Hartz IV, duke u shpërngulur një herë në disa vjet dhe më pas, pas 12 vjetësh me kontrata të përkohshme fundi: ndalimi për të punuar.

Kjo ndodh me studiuesit që gjejnë një vend të përhershëm pune në Gjermani – sepse vende të tilla pune janë të rralla. Sipas Zyrës Federale të Statistikave, në vitin 2019, 87 përqind e stafit shkencor ishin të punësuar në baza të përkohshme.

Tingëllon shumë e njohur për mua: përpara edhe unë doja të bëhesha shkencëtare, biologe për të qenë e saktë. Pas përfundimit të masterit, vendosa të hyja në gazetari (një profesion tjetër me kushte pune shpesh të pasigurta). Për shkak të presionit të lartë të konkurencës, orëve të shumta jashtë orarit dhe shpërnguljeve të shpeshta, hulumtimi nuk më dukej shumë tërheqës as atëherë.

Çfarë është WissZeitVG?

Bazë për marrëdhëniet e pasigurta të punës është, ndër të tjera, Ligji i për Kontratat e Përkohshme të Shkencës, ose shkurt WissZeitVG. Ky ligji i prezantuar në 2007 përcakton, ndër të tjera, një kufi maksimal për punësimin e përkohshëm të “stafit shkencor dhe artistik” në universitetet gjermane.

Gjithsej dymbëdhjetë vjet, të ndara në gjashtë vjet para doktoratës dhe gjashtë vjet pas doktoratës. Ligji në të vërtetë donte t’u jepte fund kontratave të pafundme të kufizuara në shkencë. 

#IchbinHannah

“Sigurisht kjo doli huq”, më shpjegon Dr. Kristin Eichhorn nga Universiteti i Paderbornit. “Siç mund ta shihni nga fushata jonë, përkundrazi, rezultati qe që njerëzit as i punësojnë më.”

Së bashku me filozofin Dr. Amrei Bahr dhe historianin Dr. Sebastian Kubon, studiuesja e letërsisë nisi në mes të qershorit #IchbinHannah në përgjigje të një videoje shpjeguese të Ministrisë Federale të Arsimit dhe Kërkimit.

Në videon e animuar (e cila ndërkohë është hequr nga interneti), ligji i kontratave shkencore shpjegohet duke përdorur doktoranten fiktive Hannah.

Në sajë të kontratave të kufizuara në kohë, Hannah kishte mundësinë të kualifikohej pa “bllokuar” sistemin. Kjo paraqitje shkaktin zemërim në mesin e shkencëtarëve që luftojnë me frikën e së ardhmes dhe mungesën e perspektivës.

Symbolbild Chemikalien Labor Medizin Forschung Entwicklung Medikament

Marrëdhënie të pasigurta të punës përfshirë edhe ndalimin e punësimit

“Sot, studiuesit shpesh nuk e dinë deri në dekadën e pestë të jetës nëse mund të qëndrojnë përgjithmonë në shkencë,” thotë Kristin Eichhorn. As ajo vetë nuk ka pasur vend të përhershëm pune. “Kontrata ime aktuale vazhdon deri në fund të shtatorit.”

Ajo ka ende kohë deri në vitin 2023, kur do të mbarojnë 12 vitet e saj. Në të vërtetë, e gjitha do të kishte marrë fund në vitin 2022, por studiuesve iu dha një vit shtesë për shkak të Coronas.

Mundësia e vetme e punësimit të përhershëm: Profesor

Se sa e vështirë është të gjesh një të përhershëm pune e kuptova kur po bëja bachelor. Udhëheqësi i temës, Dr. Klaus Reinhardt, po kërkonte vetë për një punë tjetër dhe ishte disi i irrituar.

Sot ai është profesor për zoologji të aplikuar në UT Dresden. Para se të merrte këtë punë, megjithatë, atij iu desh të kalonte një vit duke marrën ndihmën për të papunët – me të ardhme të pasigurt.

“Më kujtohet ende se si rektori këtu në Dresden dëshironte të shihte atëherë pagën time të fundit para se të punësohesha. Unë thjesht kisha qenë i papunë. Kështu që mendova se kaq e pat kjo punë”.

Reinhardti e mori sidoqoftë vendin e punës, edhe nëse, sipas mendimit të tij, rrallë ndodh që profesorët të regjistrohen si të papunë menjëherë para se të fillojnë punën e tyre. “Po të kesh qenë pa punë në shkencë për më shumë se një vit, atëherë del shpejt nga sistemi”.

Kufijtë kohorë kanë kuptim, kontratat e shkurtra dhe kufijtë e sipërm nuk kanë

Unë isha e interesuar që të mësoja se çfarë mendon ai për sistemin sot – nga ana tjetër, si të thuash.

“Kam pak frikë se ky diskutim do ta shtyjë debatin shumë. Larg kërkimeve shkencore dhe gjërave interesante, që mund të bësh drejt sigurisë absolute”.

Sipas Zyrës Federale të Statistikave, pak më shumë se 400.000 vetë punuan si “staf shkencor dhe artistik” në universitetet gjermane në 2019. Rreth 180.000 prej tyre punon për të mbrojtur doktoraturën.

Edhe pse ai iu desh vetë të luftonte me sistemin, Klaus Reinhardt nuk i sheh kufizimet kohore në shkencë si një problem në parim. Ai beson se kontratat e përkohshme për studentët e doktoratës kanë kuptim, në fund të fundit, jo të gjithë studentët e doktoratës dëshirojnë të qëndrojnë në shkencë.

Kjo konfirmohet gjithashtu nga Raporti Federal për Shkencëtarët e Rinj i vitit 2021. Sipas kësaj, rreth 50% e studentëve të doktoratës largohen nga universiteti në vitin e parë pas përfundimit të doktoratës. Shanset në tregun e punës janë gjithashtu të mira: deri në 10 vjet pas përfundimit të doktoratës, shkalla e papunësisë është vetëm 1 deri në 2%.

“Por rëndësi ka që të kesh mundësi t’i përfundosh projektet gjatë kohës në universitet,” thotë Reinhardt. “Që ekziston ky kufi i sipërm prej gjashtë plus gjashtë vjetësh është krejtësisht e pakuptimtë. Kush bëhet profesor gjashtë vjet pas përfundimit të doktoratës? Mua m’u deshën 14 vjet “.

Universiteti konkurrues

“Masa kursimi ka kudo. Specifike gjermane është kufiri kohor për kontratat e përkohshme. Në vendet e tjera, studiuesit mund të punojnë derisa të dalin në pension me kontrata të kufizuara. Kjo nuk është gjë e mirë, por të paktën ata nuk janë të detyruar të largohen nga sistemi “, thotë Kristin Eichhorn.

Për të, problemi kryesor qëndron në strukturën e financimit të universiteteve. Në Gjermani, ku për studimet e larta nuk të duhet të paguash, paratë vijnë drejtpërdrejt nga shteti ose nga landet federale.

Sipas Kristin Eichhorn-it, ky financim bazë mbulon vetëm 50 përqind të buxhetit. Pjesa tjetër duhet të mblidhet përmes financimit të palëve të treta në lidhje me projektin. Për shembull nga Fondacioni Gjerman i Kërkimit (DFG) i financuar nga taksat, financuesi më i madh i palës së tretë në Gjermani.

Studiuesit shpesh i duhet të aplikojë vetë për financim nga palët e treta; duke vepruar kështu, ata garojnë me kolegët e tyre për fondet e projektit në dispozicion. Vendet e punës që rezultojnë natyrisht janë të lidhura me projektin, pra të përkohshme.

Në fakt, në krahasim me vendet e tjera, Gjermania investon shumë para në universitetet e saj. Në vitin 2019 shuma ishte 19 miliardë euro. Buxheti i kërkimit dhe zhvillimit është i katërti në botë.

Më shumë financim bazë, më pak financim nga palët e treta?

Në mënyrë që të bëhen të mundshme pozicione më të përhershme të paktën pas përfundimit të një doktorature, për shembull për detyra të përhershme në mësimdhënie, do të duhej një financim bazë shumë më i lartë, thotë Kristin Eichhorn.

Sidoqoftë, nuk ka gjasa që diçka të ndryshojë shpejt në kushtet e punës në shkencë.

Kohët e fundit, WissZeitVG u mbrojt nga ministrja përgjegjëse, e cila gjithashtu theksoi se afatet kohore kanë kuptim në shumë raste. Sidoqoftë, ligji nuk e imponon këtë. Universitetet janë të lira të ofrojnë vende të përhershme pune në çdo kohë.

Sidoqoftë, e paqartë mbeti se nga do të vinin paratë. Ndoshta bëra mirë kur vendosa për gazetari shkencore – edhe pse nganjëherë më mungon laboratori./DW