Ministria e rikonstrukturuar e administratës publike do të ketë prioritet vlerësimin e çdo punonjësi dhe drejtuesi që shërben në zyrat e shtetit për të parë nëse është aty me meritë apo me mik.
Kryeministri dhe ministrja Pirdeni bën publike detaje nga reforma e drejtuar nga kjo e fundit, “Shkalla e Meritës” mbi bazën e se cilës do të bëhet vlerësimi i çdo punonjësi të administratës publike për aftësitë dhe performancën që ka dhe drejtuesit jo vetëm si menaxhojnë institucionin por dhe për mënyrën sesi i vleresojnë dhe promovojnë burimet njerëzore.
“Mund t’i paguash më mirë njerëzit dhe përsëri mos arrish të dallosh atë që punon shkëlqyeshëm nga ai që bën minimumin. Dhe këtë dallim nuk duhet ta lëmë dhe nuk do ta lëmë në dorën e një drejtuesi apo një drejtuesi tjetër. Ky dallim duhet të bëhet sistemik. Mund të investosh në trajnim dhe përsëri të mos i hapësh rrugë atij që ka treguar se është i aftë të marrë përgjegjësi më të mëdha dhe përsëri këtë aftësi për të marrë përgjegjësi më të mëdha, duhet ta lexojë sistemi. Jo thjesht ta kuptojë ose jo personi, ai që është mbi ty. Ne mund të ndryshojmë sa të duam procedura, mund të krijojmë edhe sisteme të reja, mund të bëjmë edhe 100 rregullore të tjera. Nëse në fund njeriu që punon më mirë, nuk ka më shumë mundësi të ecë përpara sesa ai që punon më pak ose nuk punon fare dhe thotë ‘i kam krahët e ngrohtë’, atëherë nuk kemi ndryshuar atë që është tani sfida të ndryshojmë dhe këtu merr rëndësinë e vet themelore ‘’Shkalla e Meritës’’, tha Rama.
Këtu Rama ndalet të shpjegojë dhe arsyet e dorëheqjeve masive të drejtorëve të institucioneve dy javë më parë që lidhet pikërisht me rivlerësimin e tyre.
“Kjo nuk është aspak një lëvizje e panatyrshme, as një garë për të parë sa drejtues largohen nga detyra dhe as një ushtrim për të ndryshuar emra në krye të institucioneve apo hiq Colin dhe sill Lolin, është një kërkesë për të parë me një sy më kritik se ku drejtimi ka prodhuar rezultatet dhe ku ka prodhuar vetëm rutinë ose më keq akoma kosto për imazhin e institucioneve të atij shtetit. Aty ku ka profesionalizëm e rezultate, ato duhen njohur dhe duhen mbrojtur. Aty ku problemet përsëriten dhe përgjegjësia mungon, duhet të ketë pasoja pa cënuar kapacitetet dhe pa ndërprerë asnjë moment punën në shërbim të qytetarëve, por edhe procesin e negociatave me Bashkimin Europian. Ky proces dhe shkalla e meritës bashkohen në një parim. Drejtimi i institucionit nuk mund të jetë një privilegj i shkëputur nga rezultatet dhe llogaridhënia nuk mund të fillojë vetëm kur problemet fillojnë dhe bëhen publike. Ajo duhet të jetë pjesë e përditshme e funksionimit të shtetit“, tha Rama.
Edhe për punësimin në administratë rregullat do të ndryshojnë.
“Së pari, te hyrja e administratës. Përmes testimit kombëtar, një provimi kombëtar unik, kandidatët do të kenë mundësinë të dëshmojnë njohuritë dhe aftësitë e tyre përpara një standardi të përbashkët dhe ky testim kombëtar do të bëhet duke bashkëpunuar me Qendrën e Shërbimeve Arsimore e cila po adopton tanimë modelin e provimeve të Cambridge-it. Provime të sekretuara, standard i barabartë dhe gjithçka përmes teknologjisë në hapin e parë. Ata që e kalojnë me sukses pajisen me një çertifikatë të vlefshme për katër vjet e cila u mundëson të marrin pjesë për konkurrimet për pozicionet përkatëse. Certifikata e provimit nuk do të jetë automatikisht një vend pune, por krijon një bazë më të drejtë dhe më të besueshme për konkurrimin. Së dyti, përparimi gjatë karrierës. Meritokracia. Flitet shumë për meritokraci. Ka shumë ankesa dhe ka shumë thellësi ndjesia se nuk ka meritokraci. Por meritokracia nuk duhet të jetë vetëm një kërkesë që shteti i bën nëpunësit, por duhet të jetë dhe garancia që shteti i jep atij, duke afirmuar në vazhdimësi se puna e mirë njihet dhe se aftësia është kushti i panegociueshëm për ngjitje në shkallët e karrierës”, tha Rama.
Po si është e ndërtuar teknikisht reforma.
Kryeministri mendon se reforma e ndërtuar edhe nën shembullin e pranimit në universitet nuk mund të ketë fat tjetër veç suksesit pasi garancia vjen nga përdorimi i inteligjencës artificiale.
Kryeministri u kujdes disa herë të nënvizionte se dhe kjo reformë ashtu si nismat e “Besës” dhe “Pasqyrë Albania” janë përgjigje për ato që qytetarët kërkojnë përmes protestës çdo ditë prej 5 muajsh poshtë zyrës së tij.
/tvklan.al












Botërori 2026 