Një sipërmarrës 41-vjeçar nga Shkodra u shpall në kërkim nga policia e Kavajës pasi ndërmori iniciativën për të ndërtuar një lokal në buzë të detit, pa leje nga autoritetet përkatëse. Vendin e zgjodhi në Spille të Kavajës, aty ku kishte nisur puna për ngritjen e biznesit, punë e cila u ndërpre pasi në vendin në fjalë zbarkoi policia. Kjo e fundit, njoftoi këtë të hënë arrestimin e 4 punëtorëve, të gjithë nga Lushnja.

“Si rezultat i kontrolleve që po kryhen 24/7, me qëllim parandalimin dhe goditjen e rasteve të ndërtimeve pa leje, veçanërisht në zonat urbane dhe në ato bregdetare, shërbimet e Komisariatit të Policisë Kavajë, të mbështetura nga informacionet e inteligjencës policore, evidentuan 1 rast të kësaj paligjshmërie, në Spille.  Në vijim të veprimeve procedurale për këtë rast, u arrestuan shtetasit F. Gj., 51 vjeç, F. Gj., 56 vjeç, L. D., 50 vjeç dhe Xh. D.  51 vjeç, të katërt banues në Lushnjë, pasi u kapën në flagrancë duke ndërtuar pa lejen e organeve kompetente, një beach bar, në bregdetin e Spillesë, për qëllime përfitimi. Ndërkohë, vijon puna për kapjen e sipërmarrësit të punimeve, shtetasit P. V., 41 vjeç, banues në Shkodër”, thuhet në njoftimin e policisë së Kavajës.    

Po sipas kësaj të fundit, vijojnë kontrollet dhe verifikimet për të konstatuar dhe goditur raste të tjera të ndërtimeve të paligjshme, si dhe të krimeve të tjera kundër mjedisit./tvklan.al