Shqipëria po kthehet gjithnjë e më shumë në një vend pritës për punonjësit e huaj, ndërsa bizneset po përballen me mungesë të fuqisë punëtore.
Në fund të vitit 2025, numri i shtetasve të huaj me leje të vlefshme qëndrimi arriti në 27,514 persona, duke u rritur me 25.4% krahasuar me një vit më parë. Ndërkohë, gjatë vitit u trajtuan 18,156 raste për Leje Unike qëndrimi dhe pune, një tregues i kërkesës në rritje të bizneseve për punonjës nga jashtë.
Sipas të dhënave të siguruara nga ekofin.al pranë Ministrisë së Brendshme, numri i të huajve me leje qëndrimi është rritur me 5,574 persona vetëm gjatë vitit 2025. Komunitetin më të madh e përbëjnë shtetasit e Kosovës, me 6,076 persona, të ndjekur nga italianët me 3,776, indianët me 2,399, filipinasit me 2,213 dhe egjiptianët me 2,007 persona. Rritja e pranisë së shtetasve nga vendet aziatike lidhet edhe me nevojat e bizneseve shqiptare për të siguruar punonjës, në kushtet e emigrimit të shqiptarëve dhe mungesës së fuqisë punëtore në disa profesione.
Kërkesa për Leje Unike është rritur ndjeshëm, nga 9,825 raste në vitin 2023, në 11,224 në vitin 2024 dhe 18,156 gjatë vitit 2025. Sektorët që mbështeten më shumë te punonjësit e huaj janë shërbimet, turizmi, ndërtimi dhe tregtia. Numri më i lartë i lejeve është regjistruar në aktivitetet e tjera të shërbimit, me 3,210, i ndjekur nga akomodimi dhe shërbimi ushqimor me 2,789, ndërtimi me 2,635 dhe tregtia me 2,068 leje.
Përsa i përket shpërndarjes në territor, Tirana mbetet qarku me përqendrimin më të madh të shtetasve të huaj dhe kryeson edhe për rastet e trajtuara për Leje Unike, me 7,609 gjatë vitit 2025. Pas saj renditen Durrësi me 3,415 raste dhe Vlora me 2,652.
Megjithatë, ritmet më të larta të rritjes janë regjistruar në Kukës, me 128%, Gjirokastër me 126.5% dhe Vlorë me 121.9%. Të dhënat tregojnë se punësimi i shtetasve të huaj po shtrihet gradualisht në më shumë qarqe të vendit, ndërsa bizneset po i drejtohen gjithnjë e më shumë tregjeve ndërkombëtare për të plotësuar nevojat për punonjësit./Ekofin.al/
/tvklan.al












Botërori 2026 
