Lajme Arkiva 2003

Forcat policore të ndërhyrjes së shpejtë në Durrës kanë rrethuar pjesën e portit në afërsi të Dokut. Ndërkohë rreth 70 punonjës qëndrojnë ende në skelën e dokut detar i cili është shkëputur nga bregu dhe tashmë është zhytur pjesërisht në det. Punëtorët kanë 24 orë që qëndrojnë këtu pa ushqim dhe në pritje të përgjigjes nga përfaqësuesit e tyre në bisedime.

Forcat e policisë nuk kanë lejuar të tjerë punëtorë që kanë tentuar të hyjnë gjatë orëve të paradites për t’u bashkuar me grevistët. Këta të fundit qëndrojnë në pjesën e portit dhe shprehen se nëse qeveria nuk merr menjëherë masa në ndihmë të tyre ata do të shkojnë me forcë te shokët e tyre dhe nëse do të duhet do të përleshen me forcat policore.

Grevist: Ne nuk lëshojmë fije në këtë punë. Ne nuk duam t’ia dimë fare për politik. Ne kërkojmë vetëm të drejtat tona sociale. Në qoftë se nuk kthejnë përgjigje aty do të mblidhemi të gjithë dhe siç jemi këtu do të hyjmë brenda. Ne do të shkojmë të shokët tanë atje e pastaj do të flijohemi të gjithë. S’ka rrugë tjetër. Jam 58 vjeç më kanë hequr 10 vjet sigurime shoqërore. Unë duhet të dal në pension kur të vdes sipas logjikës që përdor qeveria me ne.

Grevist: Në qoftë se ministri deklaron se firma është e falimentuar ne kërkojmë që të zbatohet ligji i falimentit. Ligji i falimentimit ka disa kritere dhe në fund të fundit jemi të detyruar ti zbatojmë ato ligje që ka falimenti, ndërsa në rast të kundërt ne e kemi dhënë mendimi tonë që do flijohemi aty.

Ndërkohë drejtori i policisë për Durrësin Pashkë Tusha ka shprehur se forcat e policisë kanë për detyrë thjesht të ruajnë normalitetin në port.

Pashkë Tusha: Kemi marrë masa për të forcuar shërbimet e policisë me qëllim që mos të ketë asnjë pasojë për këtë objekt sepse mund të ndodhë në një moment që as punëtorëve dhe as policia për arsye objektive mund të ketë dëmtime në këtë objekt të rëndësishëm që e kanë mbajtur këta punëtorë dhe kanë ushqyer familjet e tyre.

Ndërsa autoritetet e firmës Kurum ndaj së cilës 220 punëtorë kërkojnë të paguajnë figuracionet e 7 viteve punë kanë braktisur zyrat e tyre dhe ambientet e drejtorisë nuk ndodhet asnjë nënpunës./tvklan.al