Belinda Balluku: Synojmë të lehtësojmë trafikun sa më parë

Në fund të Gushtit mbyllen dy tunele nëntokësore tek mbikalimi i sheshit Shqiponja, ai që të çon nga pallati me Shigjeta drejt Durrësit dhe ai nga ana e Bulevardit të Ri drejt Durrësit.

Gjatë inspektimit, Ministrja e Infrastrukturës, vuri në dukje se po punohet 24 orë pa ndalim, për të lehtësuar sa më parë trafikun në Tiranë.

“Pa dyshim kemi një vështirësi në trafikun e kryeqytetit, pasi ka një devijim trafiku, por me vazhdimin e lotit të dytë do të kemi akoma ndryshime, të cilat do t’i njoftojmë për qytetarët”.

Ministrja Balluku tha se punimet janë vonuar për më shumë se një vit nga vështirësitë që u krijuan për shpronësimet dhe për hir të politizimit të situatës.

“Ne synojmë shumë shpejt që të nisim edhe me lotin e parë të unazës, pasi kjo është një vepër komplekse, e cila ka patur vonesa. Arsyet tashmë i dinë të gjithë. Qoftë për sa i përket shpronësimeve, qoftë për sa i përket politizimit të kësaj vepre, të këtij kantieri dhe bllokimit për një vit rresht”.

Tashmë ka nisur projektimi i segmentit të Unazës nga mbikalimi i sheshit Shqiponja deri tek Bulevardi i ri ndërsa në Gusht nis projektimi i pjesës së mbetur të Unazës së Re nga Bulevardi i ri deri në Shkozë.

Tv Klan