Punimet e tunelit të Krrabës, një prej veprave më të mëdha inxhinierike në vend, dhe pjesë e korridorit tetë, kalojnë kilometrin e parë, duke bërë që të përfundojë një e katërta e tij.
Për kryeministrin Berisha, kjo është një ngjarje e shënuar, pasi sipas tij dita që do të afrojë Tiranën me Elbasanin dhe qytetet e tjera nuk është e largët.
Kreu i qeverisë tha se punimet në tunelin e shqiptarëve kanë ecur në një kohë rekord, pasi në pothuajse pesë muaj janë hapur mbi 1 mijë metra.
Sali Berisha: “Tuneli i Krrabës, që filloi pak muaj më parë, ka realizuar gjer tani një të katërtën e punimeve që duhen për përfundimin e tij. Këto punime kaluan sot kilometrin e parë. Kjo është një kohë rekord në ndërtimin e tuneleve. Përfundimi i një të katërtës të punimeve në këtë tunel ka një rëndësi të jashtëzakonshme për më shumë se 1.2 milionë shqiptarë, përfundimi i cilit do të shkurtojë distancën për Tiranë së paku 50 minuta.”
Autostrada Tiranë-Elbasan është një prej segmenteve kryesorë të korridorit tetë. Shqipëria është vendi i parë që përfundon një pjesë të këtij segmenti, ndërkohë që për kryeministrin Berisha, ky korridor do t’i afrojë më shumë shqiptarët si dhe do t’i japë një dimension të ri zhvillimit ekonomik në tërësi.
Sali Berisha: “Korridori Tiranë-Elbasan është një nga korridoret më të rëndësishme të rajonit, sepse në të vërtetë ky është dhe korridori më i vështirë, po më i rëndësishëm i korridorit tetë. Ne përfundojmë të parët segmentin më të vështirë të korridorit të tetë dhe mbetemi të gatshëm të ecim drejt Librazhdit dhe Qafë Thanë dhe ne besojmë se Shqipëria, Maqedonia, Bullgaria duhet të ndërtojnë këtë korridor që i afron më shumë se çdo gjë tjetër tregjet e mëdha të Evropës me tregjet e Azisë.”
Kryeministri Berisha ka akuzuar opozitën për përpjekjet që ka bërë në bllokimin e ndërtimit të tunelit.
Kjo, sipas tij, u pa qartë në refuzimin e votimit të buxhetit për autostradën Tiranë-Elbasan nga deputetët socialistë në parlament. Berisha tha se trillimeve i përgjigjemi me vepra dhe punë.
Sali Berisha: “Një e katërta e punimeve në korridorin Tiranë-Elbasan përfundon në një hark kohor të shkurtër, por nuk mund të mos kujtoj këtu një natë të gjatë në parlamentin shqiptar, nata më e gjatë në karrierën time politike në parlament, kur me përpjekjet më të jashtëzakonshme, ata të cilët përdorën pushtetin e tyre për të bllokuar statusin e vendit bënë gjithçka për të bllokuar buxhetin për korridorin Tiranë-Elbasan. Ata personalizuan korridorin me Sali Berishën dhe harruan që ky është korridori i miliona shqiptarëve. Vërtetë, ne qëndruam atë natë gjer në pesë të mëngjesit, duke debatuar por natyrisht, ne votuam, vendimin e morëm. Ja ku është vepra e atij votimi. Përkundrejt makinerisë së shpifjeve të trillimit dhe nihilizmit, le të vazhdojmë ne ndërtimin çdo ditë, çdo javë, çdo muaj të veprave të Shqipërisë Evropiane. Le t’u përgjigjemi ne shpifjeve, trillimeve, mashtrimeve, me vepra, vepra dhe vetëm vepra.”
Për qytetarët e Elbasanit, ndërtimi i kësaj autostrade ka qenë një ëndërr që sipas tyre dita-ditës po kthehet në realitet.
“Jemi sot drejt finalizimit të ëndrrës sonë disavjeçare. Elbasani me rrugën e re është ndër qytetet më të rëndësishme të Shqipërisë, por jo vetëm. Është vendi që do të bashkojë tashmë distancat gjeografike.”
“Ky realitet na jep mundësinë ne banorëve të trevës së Elbasanit të lidhemi mbarëkombëtarisht, pse jo edhe jashtë kufijve.”
Dy tunelet e autostradës Tiranë-Elbasan do të kenë një gjatësi prej afro 4800 metrash, galeria e djathtë është 2578 metra e gjatë, ndërsa e majta 2320 metra. Janë 12 metra të gjerë dhe 8 metra të lartë.
Punimet po kryhen me standardet më të larta të inxhinierisë dhe me parametrat më të larta bashkëkohore.
Tuneli dhe autostrada do ta shkurtojnë ndjeshëm distancën mes Tiranës dhe Elbasanit në afro 20 minuta, ndërkohë që përfundimi i tij është parashikuar të jetë 18 muaj nga nisja e punimeve./tvklan.al












Botërori 2026 