Punimet për Urën e Viroit në Gjirokastër janë drejt përfundimit. Lajmin e ka ndarë vetë kryeministri Edi Rama këtë të shtunë, më 28 mars, në një postim në rrjetet sociale, ku ka publikuar edhe disa foto.

“Drejt përfundimit punimet, ku përfshihet ndërtimi i një ure të re me dy hapësira drite, si dhe ndërtimi i një tombinoje të re që lidh urën e vjetër në digën e liqenit me lumin Drino.”, shkruan kryeministri.

Sipas tij, janë realizuar gjithashtu strukturat në funksion të kategorisë së rrugës C2, si dhe përmirësimi i nyjeve në hyrje dhe në dalje, në një gjurmë të re rrugore që kalon paralel me rrugën ekzistuese në anën e lumit.

Rama thotë se përfundimi dhe hapja e kësaj vepre do të sjellë përmirësimin e gjurmës ekzistuese, rikthimin e kapacitetit mbajtës të strukturës dhe rritjen e sigurisë rrugore, duke shmangur ndërprerjen e qarkullimit për shkak të përmbytjeve.