Pusteci ka çelur sezonin turistik veror me aktivitete të larmishme, që promovuan kulinarinë tradicionale, produktet bio dhe artizanatin karakteristik të zonës së Prespës.
Gatimet autentike përbëjnë një nga asetet më të forta të turizmit lokal. Të preferuara nga vizitorët vendas dhe të huaj janë specialitetet me krap, peshku simbol i Liqenit të Prespës, i njohur për shijen e veçantë dhe mënyrat tradicionale të përgatitjes.
Tava e krapit, gatimet me mish si dhe një gamë e pasur recetash tipike të zonës vijojnë të jenë ndër zgjedhjet më të kërkuara nga turistët.
Përtej kulinarisë, Prespa tërheq turistë sidomos për peizazhet mahnitëse natyrore, trashëgiminë e pasur kulturore dhe biodiversitetin unik.
Vizitorë nga Shqipëria, Greqia, Polonia dhe Gjermania zgjedhin çdo vit këtë destinacion, ndërsa operatorët turistikë raportojnë një rritje të vazhdueshme të numrit të turistëve dhe të ditëve të qëndrimit.
Pritshmëritë për sezonin veror janë optimiste. Sipas operatorëve turistikë, rezervimet paraqiten në nivele të kënaqshme, ndërsa pjesa më e madhe e vizitorëve janë turistë të huaj.
Krahas vendeve europiane, Prespa po tërheq gjithnjë e më shumë vizitorë nga India dhe vendet e Amerikës Latine.
Kryetari i Bashkisë së Pustecit, Pali Kolefski, shprehet se këtë vit pritet një rritje e mëtejshme e fluksit turistik. Synim afatgjatë mbetet zhvillimi i turizmit gjatë gjithë vitit.
Në këtë drejtim, kulinaria luan një rol të rëndësishëm, pasi vazhdon të tërheqë vizitorë ditorë në çdo stinë.
Sa i përket ndikimit të protestave që po zhvillohen në vend, kryebashkiaku vlerëson se ato nuk do të kenë efekte negative mbi turizmin e Prespës.
Përkundrazi, ai thekson se pozicioni periferik i zonës, larg zhurmës dhe tensioneve, e bën atë një destinacion ideal për pushuesit që kërkojnë qetësi, natyrë dhe relaks, duke ftuar turistët vendas dhe të huaj të vizitojnë Prespën gjatë këtij sezoni veror.
/tvklan.al












Botërori 2026 