Presidenti rus Vladimir Putin dhe lideri kinez Xi Jinping u takuan në Pekin teksa kreu i Kremlinit nisi një vizitë shtetërore dy ditore mes luftës në Ukrainë dhe përparimeve të fundit të ushtrisë ruse.

Putini u mirëprit në kryeqytetin kinez me një bandë ushtarake dhe përshëndetje me armë jashtë Sallës së Madhe të Popullit. Takimi në Pekin, hera e katërt që Putin dhe lideri kinez flasin ballë për ballë pasi shqetësimi ndërkombëtar rritet mes luftimeve intensive ruse.

Kreu i Kremlinit në konferencën e përbashkët me Xi Jinping u shpreh se Moska ishte mirënjohëse ndaj Kinës për përpjekjen për të zgjidhur krizën e Ukrainës.

“Të dy vendet kryejnë politika të jashtme të pavarura dhe të qëndrueshme. Së bashku ne punojmë drejt një rendi botëror më të drejtë dhe demokratik, shumëpolar që duhet të bazohet në rolin qendror të OKB-së, sigurinë e saj etj. Nuk ka vend të mbyllen portat e bashkëpunimit në rajonin Azi-Paqësor dhe mendojmë se kjo është e dëmshme dhe kundërproduktive.”

Udhëheqësit nënshkruan zyrtarisht një deklaratë për thellimin e marrëdhënieve të tyre strategjike. Xi Jingping ka theksuar se një zgjidhje politike për krizën e Ukrainës është drejtimi i duhur dhe se partneriteti mes dy vendeve ka qenë i bazuar në respektin reciprok dhe një bashkim interesash.

“Marrëdhënia Kinë-Rusi sot është e fituar me vështirësi dhe të dy palët duhet ta vlerësojnë këtë. Kina është e gatshme të arrijë zhvillimin dhe të punojë së bashku për të mbështetur drejtësinë në botë. Është me rëndësi vendimtare që marrëdhëniet midis Rusisë dhe Kinës të mos jenë oportuniste dhe të mos jenë të drejtuara kundër askujt.”

Lufta në Ukraine i ka afruar të dy liderët dhe ekonomitë e tyre me tregtinë që ka shënuar nivele rekord vitin e kaluar, pasi Rusia rriti importet e saj të mallrave kryesore nga Kina. Putin dhe Xi Jinping do të marrin pjesë në një festë gala që shënon 75 vjetorin që kur Bashkimi Sovjetik njohu Republikën Popullore të Kinës.

Ndërkohë në Ukrainë vijojnë luftimet e ashpra. Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka deklaruar se forcat e tij të mbrojtjes dhe sigurisë arritën të stabilizojnë pjesërisht situatën në rajonin verior të Kharkiv, ku trupat ruse po bëjnë përparime. Forcat ukrainase vazhdojnë luftimet në zonat pranë kufirit rus dhe në Vovchansk, i cili është rreth 60 kilometra në verilindje Kharkivit, qytetit të dytë më të madh të Ukrainës.

Klan News