Presidenti rus Vladimir Putin nuk është kundër takimit me Volodymyr Zelensky-n për të biseduar për fundin e konfliktit në Ukrainë, por gazetarëve të huaj në Shën Pjetërburg u tregoi ku e ka problemin.

“Jam gati të takoj këdo, përfshirë Zelensky-n, por nuk është ky problemi. Problemi është kush do t’i nënshkruajë dokumentet. Marrëveshja duhet të nënshkruhet nga autoritete të ligjshme, përndryshe ju e dini mirë, vjen lideri tjetër dhe e hedh atë në plehra”.

Ai mendon njëlloj si Donald Trump, se po të ishte ai në Shtëpinë e Bardhë, konflikti në Ukrainë nuk do të kishte ndodhur. Shefi i Kremlinit i bëri një paralajmërim Gjermanisë për lejimin e përdorimit nga ukrainasit të raketave Taurus, me rreze veprimi mbi 500 kilometra, për të goditur territorin rus.

“Kjo do të thotë që oficerët e ushtrisë gjermane të godasin territorin rus me armë gjermane. Çfarë mund të jetë tjetër ky vendim, nëse nuk quhet përfshirje e Republikës Federale të Gjermanisë në konflikt të drejtpërdrejtë me Federatën Ruse?”

Për Iranin, partnerin e hershëm në Lindjen e Mesme, ai nuk ka ndërmend të ndërhyjë për ta mbrojtur.

“U kemi ofruar dikur miqve tanë iranianë të bashkëpunojmë për mbrojtjen ajrore, por ata nuk kishin interes në atë kohë. Traktati i partneritetit tonë strategjik nuk e përfshin mbrojtjen ajrore dhe, për më tepër, miqtë tanë iranianë nuk na e kanë kërkuar më këtë”.

Tv Klan

/tvklan.al