Në Forumin Ekonomik Ndërkombëtar të Shën Petersburgut, vëmendja nuk ishte vetëm te investimet apo bashkëpunimi ekonomik.
Presidenti rus, Vladimir Putin. mbajti fjalimin kryesor në sesionin plenar të forumit, me fokus në ekonomi. Por ishte deklarata e tij gjatë një paneli diskutimi që bëri jehonë në media: “Kemi një rregull të vjetër: ku shkel këmbë ruse, aty është toka jonë.”
Një deklaratë e tillë nga lideri i një vendi që kërkon investime të huaja, nuk përputhet me synimet ekonomike të këtij forumi. Megjithatë, prioriteti kryesor i Kremlinit mbetet fitorja në luftën kundër Ukrainës, jo stabiliteti ekonomik.
Ekonomia ruse ka njohur rritje, por kjo vjen kryesisht nga shpenzimet masive në industrinë e mbrojtjes. Edhe kjo rritje është drejt shterimit. Ministri rus i Zhvillimit Ekonomik, Maksim Reshetnikov, paralajmëroi se ekonomia ndodhet “në prag të recesionit”.
Guvernatorja e Bankës Qendrore, Elvira Nabiullina, tha se “shumica e burimeve të pashfrytëzuara tashmë janë harxhuar”.
Edhe pse Putin e mohoi krizën, duke cituar me ironi një shkrimtar të famshëm se “thashethemet për shuarjen e ekonomisë ruse janë shumë të ekzagjeruara”, shqetësimi brenda qeverisë ruse është i dukshëm.
Forumi i Shën Petersburgut ishte menduar si një platformë për të treguar fuqinë ekonomike të Rusisë, por shkëlqimi është zbehur pas mijëra sanksioneve ndërkombëtare për luftën në Ukrainë. Shumë kompani perëndimore janë larguar.
Megjithatë, disa sinjale tregojnë një interes për rikthim në gjendjen e mëparshme.
Kirill Dmitriev, përfaqësues i presidentit rus për investimet e huaja, deklaroi se “shumë kompani amerikane duan të kthehen” dhe se dialogu është më i dobishëm sesa sanksionet. Edhe presidenti i Dhomës Amerikane të Tregtisë në Rusi, Robert Agee, pranoi se “janë bërë përpjekje për të analizuar ndikimin e sanksioneve në bizneset amerikane”.
Por, sipas tij, rikthimi i investimeve do të jetë i mundur vetëm pasi të ketë një përfundim të qartë të konfliktit në Ukrainë.
Pas më shumë se tre vitesh lufte dhe sanksionesh masive, Rusia përballet me inflacion të lartë, norma të larta interesi dhe shenja të qarta të stanjacionit ekonomik. Problemet janë bërë tashmë pjesë e debatit publik, por zgjidhja e tyre mbetet e paqartë./tvklan.al












Botërori 2026 
