Pak ditë pasi përcolli Donald Trumpin, Presidenti kinez Shi Xhinpin pret homologun ru Vladimir Putin në Pekin në një vizitë treditore deri më 21 maj.

Axhenda e takimeve do të fokusohet te bashkëpunimi ekonomik dhe mbrojtja e sovranitetit të të dyja shteteve, ndërkohë që vizita koinçidon me nisjen e stërvitjeve treditore bërthamore të ushtrisë ruse.

Sipas “Financial Times”, Shi Xhinpin i ka thënë Trumpit se Putin mund të pendohet për luftën në Ukrainë,pretendim ky që Pekini e cilësoi si “fantazi të pastër”.

Agjencitë europiane të inteligjencës hedhin dyshime se Kina ka trajnuar fshehurazi ushtarë rusë për përdorimin e dronëve në front.

Analistët thonë se kjo pritje e njëpasnjëshme e liderëve të dy superfuqive brenda një jave tregon se Pikini po fiton peshë si ndërmjetës global në një rend të ri botëror.

Sipas tyre, ky samit do të jetë vendimtar për të parë nëse Kina do të vazhdojë të mbajë të hapura marrëveshjet e energjisë me Rusinë, pa dëmtuar raportet tregtare me Uashingtonin.

Marrëdhëniet Moskë – Pekin, sidomos pas nisjes së luftës në Ukrainë dhe tensioneve në Tajvan, kanë arritur nivelin e një aleance të paprecedentë strategjike.

Përpara nisjes së kësaj vizite treditore, Putin deklaroi se ky bosht nuk është i drejtuar kundër askujt, por shërben si një faktor stabilizues për paqen globale.

Tv Klan

/tvklan.al