Një ngjarje e rëndë rreth orës 15:40, këtë të hënë, 6 tetor, brenda ambienteve të Gjykatës së Apelit Tiranë.

Është qëlluar me armë zjarri gjyqtari Astrit Kalaja. Ai është dërguar me urgjencë në spitalin e Traumës, por pa shenja jete.

Siç bën me dije gazetarja Glidona Daci, gjyqtari kishte marrë tre plagë, njëra prej tyre në gjoks.

Policia ka vënë në pranga autorin, Elvis Shkëmbi, rreth 30 vjeç, i cili ishte palë në një proces gjyqësor për një çështje pronësie në qytetin e Shkodrës. Mësohet se Shkëmbi ka tentuar arratisjen, ndërsa i është sekuestruar arma e krimit. Ai është dërguar në komisariatin nr.1 në kryeqytet.

Policia njofton se janë plagosur edhe dy persona të tjerë (po ashtu palë në procesin gjyqësor), babë e bir, E.K dhe R.K., të cilët mësohet se janë në gjendje të stabilizuar shëndetësore.


“Rreth orës 15:40, në ambientet e Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, gjatë një procesi gjyqësor, dyshohet se shtetasi E. Sh., 30 vjeç (palë në proces) ka qëlluar me armë zjarri drejt gjyqtarit, shtetasit A. K., dhe shtetasve R. K., 65 vjeç dhe E. K., 45 vjeç, atë e bir (pala tjetër në proces).  

Si pasojë ka humbur jetën shtetasi A. K. dhe janë plagosur shtetasit R. K. dhe E. K, të cilët janë jashtë rrezikut për jetën. Tiranë/Informacion paraprak Shërbimet e Policisë me marrjen e njoftimit kanë shkuar menjëherë në vendngjarje dhe kanë bërë të mundur  kapjen dhe shoqërimin në ambientet e DVP Tiranë, të autorit të dyshuar, shtetasin E. Sh., si dhe kanë sekuestruar armën e krimit. Në vijim do të jepet informacion më i plotë për ngjarjen”, thuhet në njoftimin zyrtar të Policisë.

Foto nga momentet e para të ngjarjes, gjyqtari shihet i shtrirë përtokë kur po i jepej ndihma e parë, jashtë ambienteve të Gjykatës

Po ashtu, në videon më poshtë, shihni reagimin e forcave policore pas të shtënave:

Kush ishte gjyqtari Astrit Kalaja?

Me një karrierë 32 vjeçare, Kalaja u emërua për herë të parë magjistrat në Shkodër, më 24 nëntor 1993. Aty, ai shërbeu për shumë vite, derisa u emërua në Gjykatën e Apelit, Tiranë.

Në vitin 2019, Kalaja u konfirmua në detyrë kaloi procesin e Vettingut. Pavarësisht konfirmimit të tij, komisioneri publik kërkoi shkarkimin e Kalajës nga detyra, pasi pretendonte se gjyqtari nuk ka bërë deklarimin e mjaftueshëm të një apartamenti, e të një sipërfaqe toke.

Në vitin 2022, gjyqtari u konfirmua në detyrë nga KPA-ja.

Po kështu, Kalaja u zgjodh edhe anëtar në Kolegjin Zgjedhor tre herë radhazi.

Astrit Kalaja lindi në Shkodër dhe u diplomua në vitin 1993 në fakultetin e Drejtësisë. Nga ky vit, deri më 2004, ai punoi si gjyqtar I Gjykatës së Rrethit, Shkodër. Në qershor të vitit 2004, deri në janar 2023, Kalaja ishte gjyqtar i Gjykatës së Apelit, qarku Shkodër.

Lajmi në përditësim…