Presidenti i Kenias, William Ruto, ka urdhëruar policinë të qëllojë nga këmbët protestuesit që sulmojnë bizneset, në një përshkallëzim të fortë të retorikës së tij, vetëm disa ditë pasi 31 persona u vranë gjatë demonstratave mbarëkombëtare kundër qeverisë.

“Ata nuk duhet t’i vrasin, por duhet t’i qëllojnë në këmbë që t’u thyhen dhe të shkojnë në spital rrugës për në gjykatë”, tha Ruto në kryeqytetin e Kenias, Nairobi.

Në deklaratat e tij më të ashpra deri më tani për valën e protestave që kanë përfshirë vendin e Afrikës Lindore (protesta kundër stanjacionit ekonomik, korrupsionit dhe brutalitetit policor) ai gjithashtu akuzoi kundërshtarët e tij politikë se po i organizojnë demonstratat dhe tha se disa nga protestuesit po zhvillojnë një “luftë” kundër shtetit.

“Ata që sulmojnë policinë tonë, ata që sulmojnë forcat tona të sigurisë, ata që sulmojnë strukturat tona të sigurisë, përfshirë stacionet e policisë, po bëjnë shpallje lufte, kjo është terrorizëm”, tha ai, sipas The Guardian. “Ne do të merremi me ju me vendosmëri. Nuk mund të kemi një komb të drejtuar nga terrori. Nuk mund të kemi një komb të qeverisur nga dhuna”.

“Ky shtet nuk do të shkatërrohet nga disa njerëz të paduruar që duan të ndryshojnë qeverinë me mjete antikushtetuese. Kjo nuk do të ndodhë.”

Tjetër moment nga protesta e 7 korrikut

Në protestat më të fundit, të hënën, qytetarët e Kenias dolën në rrugë për të përkujtuar ditën e Saba Saba, ditën kur më 7 korrik 1990 kenianët u ngritën për të kërkuar rikthimin në demokracinë shumëpartiake pas viteve të sundimit autokratik nën Daniel arap Moi-n.

Tridhjetë e një persona u vranë të hënën dhe 107 të tjerë u plagosën, sipas Komisionit Kombëtar të të Drejtave të Njeriut në Kenia, i financuar nga shteti, duke e çuar numrin total të viktimave në 51 gjatë dy muajve të fundit, sipas Agence France-Presse.

UNICEF dënoi vrasjen e një vajze 12-vjeçare nga një “plumb qorr” teksa ndodhej në shtëpinë e saj në qarkun Kiambu, vetëm 15 kilometra nga kryeqyteti, si dhe arrestimin e fëmijëve gjatë protestave. “Fëmijët duhet të mbrohen nga çdo lloj dëmtimi, në çdo kohë dhe në çdo rrethanë,” tha agjencia e OKB-së.

William Ruto në një konferencë për shtyp në Nairobi, më 25 qershor
William Ruto në një konferencë për shtyp në Nairobi, më 25 qershor

Protestat nisën në qershor të vitit të kaluar si një lëvizje e udhëhequr nga të rinjtë kundër një rritjeje të propozuar të taksave, por u zgjeruan shpejt në thirrje për reforma dhe dorëheqjen e Ruto-s. Qeveria u detyrua të tërhiqte projektligjin për financat që përmbante rritjet e propozuara, dhe Ruto shkarkoi pothuajse të gjithë kabinetin e tij në përpjekje për të kontrolluar situatën.

Vrasjet dhe rrëmbimet nga policia nuk kanë bërë shumë për të qetësuar zemërimin e publikut. Vdekja muajin e kaluar në paraburgim e një mësuesi, i cili thuhet se kishte kritikuar një zyrtar të lartë policie në rrjetet sociale, dhe vrasja me armë e një burri nga afër gjatë një proteste pasuese, ka rikthyer vëmendjen mbi forcat e sigurisë.

Në disa raste, protestat kanë degjeneruar në plaçkitje dhe dhunë nga disa protestues, me mijëra biznese të shkatërruara.

Policia duke përdorur gaz lotsjellës për të shpërndarë protestuesit
Policia duke përdorur gaz lotsjellës për të shpërndarë protestuesit

Ruto u zgjodh me premtimin për të përmirësuar mirëqenien e të rinjve dhe qytetarëve të zakonshëm kenianë, por shumë ndihen se ai ka dështuar në përmbushjen e premtimeve të tij ekonomike dhe ka reaguar në mënyrë të shkëputur nga realiteti ndaj kërkesave të protestuesve.

Komentet më të fundit të Ruto-s pasqyrojnë një urdhër të dhënë më parë nga ministri i Brendshëm, Kipchumba Murkomen, i cili para dy javësh i kërkoi policisë të qëllojë çdo person që i afrohet stacioneve të policisë “me qëllime kriminale”.

Liderët e opozitës, përfshirë ish-zv.kryeministrin dhe ish-aleatin e Ruto-s, Rigathi Gachagua, kanë akuzuar qeverinë për përdorim të dhunës “armiqësore” të sponsorizuar nga shteti kundër qytetarëve të saj.

Të martën, ata bënë thirrje publikut që të bojkotojnë të gjitha bizneset, shërbimet dhe institucionet që janë në pronësi, nën menaxhimin ose të lidhura publikisht me këtë regjim dhe mbështetësit e tij.

Aleatët e Ruto-s nga ana tjetër, kanë akuzuar Gachagua-n se ka financuar protestat e dhunshme, akuzë që ai e ka mohuar. Gachagua hodhi poshtë gjithashtu pretendimet e Ruto-s për një komplot për përmbysjen e qeverisë, duke deklaruar të mërkurën: “Ne duam të të largojmë … përmes votës në vitin 2027.”

Një protestues duke parë gomat që digjen në protestë
Një protestues duke parë gomat që digjen në protestë

Analistët thonë se Ruto duhet të fitojë zemrat e një publiku të zhgënjyer dhe veçanërisht të brezit të ri kenian, një brez i lindur pas rikthimit të demokracisë shumëpartiake, që përfitoi nga arsimi fillor falas që nisi në vitin 2003, dhe që ka qenë në ballë të kërkesave për ndryshim që nga viti i kaluar.

OKB ka shprehur “shqetësim të thellë” për vdekjet gjatë protestave të kësaj jave dhe ka deklaruar se “forca vdekjeprurëse e qëllimshme nga ana e forcave të rendit, përfshirë përdorimin e armëve të zjarrit, duhet të përdoret vetëm kur është rreptësisht e nevojshme për të mbrojtur jetën nga një kërcënim i afërt”.