Një ndërhyrje e shpejtë e Policisë së Shtetit ka parandaluar një ngjarje të mundshme kriminale në fshatin Trush, ku tre persona dyshohet se kanë qëlluar me armë zjarri dhe armë gjahu në ajër, për të kanosur fqinjin e tyre.
Sipas njoftimit zyrtar të policisë, janë kapur në flagrancë dhe janë vënë në pranga: Ç. M., 56 vjeç, D. M., 22 vjeç, (banues në fshatin Trush, babë e bir). Ndërkohë, është shpallur në kërkim djali tjetër i 56-vjeçarit, E. M., 27 vjeç, gjithashtu banues në Trush.
“Nga veprimet e para hetimore dyshohet se shtetasi Ç. M. dhe dy djemtë e tij, kanë qëlluar me armë zjarri dhe me armë gjahu çifte, në ajër, afër banesës, për të kanosur fqinjin e tij, shtetasin P. N., për motive të dobëta.”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Gjatë operacionit, janë sekuestruar dy armë gjahu çifte, të cilat posedoheshin me leje. Policia po vijon punën për gjetjen e armës së zjarrit që dyshohet se është përdorur në ngjarje.
/tvklan.al












Botërori 2026 
