Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha nga studio e “Opinion” mbrojti listat e PD për të cilat tha se është fituese më 11 Maj. Kandidatët në listat e mbyllura Berisha tha se kanë qenë qëndrestarë dhe se kanë mbështetur Partinë Demokratike në momentet ku diskutohej ekzistenca e saj.

 “Këta u përballën ama në zgjedhjen e tyre, sepse këta zgjodhën të mbështesin një kauzë që zgjodhi Sali Berisha të mbështesë. Këta kaluan një proces për të cilin meritojnë nderimin më të madh.”

Lista e PD-së tha është dinjitoze përballë ministrave dhe deputetëve të korruptuar që Edi Rama ka në fushatë.

“Lista e hapur nuk krahasohet kurrë pastaj, se në listë të hapur ke Bushkën, Fatmir Xhafën, Pandeli Majkon. Dhe pastori socialist del mëkatar.”

Partitë opozitare tha se i ftoi në koalicion kundër Edi Ramës, por akuzoi Agron Shehajn se ka bërë parti për të qenë opozitë e opozitës, duke përdorur databazën e Partisë Demokratike.

“Shehaj sigurisht që është opozitë e opozitës, absolutisht. Agron Shehaj ka marrë databazën në pabesi të plotë, për të mos thënë më shumë, të PD-së. Shfrytëzon këtë databazë jashtë çdo kodi moral. Mund të të dërgoj ty përgjigjet që demokratët i dërgojnë atij.”

Këto zgjedhje për Sali Berishën nuk janë normale pasi 3 liderët e opozitës kundër Edi Rames janë nën hetim nga Prokuroria.

“Në një vend i cili ka të arrestuar ose në procese penale, liderët e 3 partive kryesore opozitare.”

Berisha mohoi se do ta shkrijë SPAK-un, por do të luftojë për drejtësi të drejtë për qytetarët.

“Së pari PD nuk ka luftuar dhe nuk lufton për shkrirjen e SPAK dhe as për Altin Dumanin. PD ka luftuar dhe do të luftojë për të drejtën e këtyre qytetarëve për proces ligjor.”

Berisha tha se konsulenti amerikan i fushatë Chris LaCivita do të vijë në Shqipëri sapo të filloje fushata politike, për të cilin tha se  ka ndjesinë e fitores.

Klan News

/tvklan.al