Në qytetin port të Odesës në Ukrainë, i cili prej muajsh është në shënjestër të sulmeve ruse, dy trajnerë qensh kanë vendosur të përdorin aftësitë e tyre për të shpëtuar jetë njerëzish.

Vitalii dhe Halyna Cherlat po trajnojnë qen kërkim-shpëtimi që ndihmojnë ekipet e emergjencës të gjejnë njerëz të bllokuar nën rrënoja pas bombardimeve.

Gjatë stërvitjeve, Vitalii Cherlat futet në vende të improvizuara, ndërsa zona mbulohet me mbetje betoni, për të simuluar situatat reale të shpëtimit. Pak minuta më vonë, qeni nis kërkimin dhe sapo e gjen, fillon të lehë për të sinjalizuar praninë e një personi të gjallë.

“Pse të mos përdorim qen që kanë talent për këtë? Ata e shijojnë këtë punë dhe janë të domosdoshëm. Ne mund ta bëjmë, kështu që pse të mos ndihmojmë”, tha Vitalii Cherlat, trajner vullnetar qensh.

Ata kujdesen për rreth 18 qen, disa prej të cilëve tashmë përdoren në operacione reale shpëtimi. Sipas tyre, kërkesa për qen të trajnuar është rritur ndjeshëm që nga fillimi i pushtimit të plotë rus në vitin 2022.

Megjithatë, trajnimi i një qeni shpëtimi nuk është i lehtë. Vitalii shpjegon se kafshët që nuk janë trajnuar që herët e kanë shumë më të vështirë të përshtaten me këtë lloj pune.

“Ishte e lehtë për ne ta ritrajnonim qenin për të kërkuar të mbijetuar. Por kur një qen vjen tre, katër apo pesë vjeç dhe gjithë jetën ka qëndruar në divan, është shumë e vështirë ta kthesh menjëherë në qen kërkimi”, – Vitalii Cherlat, trajner vullnetar qensh.

Në terren, qentë mësojnë edhe mënyrën se si të sinjalizojnë atë që gjejnë nën rrënoja. Nëse zbulojnë një person të gjallë, ata lehin fort për të tërhequr vëmendjen e shpëtimtarëve.

Por nëse zbulojnë një trup pa jetë, ata shtrihen në heshtje pranë vendit ku ndodhet.

“Nëse qeni ynë gjen një person të gjallë, ai duhet të lehë për të sinjalizuar: ‘Eja këtu, gjeta diçka!’ Por kur gjen një trup të pajetë, ai shtrihet në heshtje”.

Përveç stërvitjeve, qentë e familjes Cherlat kanë marrë pjesë edhe në operacione të vërteta shpëtimi pas sulmeve me raketa në Odesa. Një nga momentet më të vështira për Vitaliin ishte një operacion në një ndërtesë banimi të shkatërruar, ku ekipet gjetën disa viktima.

“Ishte shumë e vështirë. Hera e parë është gjithmonë e rëndë. Atëherë u gjetën shumë trupa, gjashtë nëse nuk gaboj. Ishte shumë, shumë e dhimbshme”.

Edhe për qentë, puna në zona katastrofash është rraskapitëse. Halyna Cherlat thotë se tensioni në vendngjarje ndikon edhe tek kafshët.

“Ata lodhen shumë. Edhe kur mbërrijmë në vendngjarje, punojnë pak dhe lodhen. E ndjejnë adrenalinën, tensionin, numrin e madh të njerëzve, gjithçka”.

Megjithatë, pavarësisht lodhjes dhe dhimbjes që shoqëron shpesh operacionet e kërkimit, çdo gjetje është e rëndësishme për familjet që presin lajme për të afërmit e tyre.

“Është një lehtësim kur i gjen. Edhe nëse personi nuk është më gjallë, të paktën e ke gjetur. Ndonjëherë dyshimi është më i rëndë se e vërteta. Por kur i gjen gjallë, edhe të plagosur, kjo është diçka e mrekullueshme”.

Ndërsa lufta në Ukrainë vazhdon dhe qytete si Odesa përballen me sulme të përsëritura, qentë e trajnuar për kërkim-shpëtim po bëhen gjithnjë e më të domosdoshëm në operacionet e emergjencës.

Klan News

/tvklan.al