Mes detit Jon dhe kodrave të mbuluara me ullinj, Qeparoi vazhdon të mbetet një nga destinacionet që ruan identitetin dhe ritmin e tij autentik. Me shtëpitë karakteristike prej guri, historinë shekullore dhe natyrën e paprekur, ky fshat i Rivierës Shqiptare po tërheq çdo vit gjithnjë e më shumë vizitorë nga e gjithë bota.

Menjëherë pas Gjirit të Palermos, panorama ndryshon. Përpara shfaqet lugina e Qeparoit, ku deti, fusha dhe mali krijojnë një peizazh të rrallë. Në këmbët e kodrës shtrihet Qeparo Fushë, ndërsa më lart ngrihet fshati i vjetër me shtëpitë prej guri, që prej shekujsh sfidon kohën.

Emri i Qeparoit lidhet me qiparisat që dikur mbulonin këtë zonë.

Ndryshe nga destinacionet e mbipopulluara mesdhetare, Qeparoi u ofron vizitorëve qetësi, natyrë dhe një përvojë autentike, mes detit dhe malit.

Vizitorët nuk zgjedhin vetëm detin. Shtigjet që lidhin fshatin me malet përreth janë kthyer në një nga atraksionet më të preferuara për adhuruesit e ecjeve në natyrë.

Rrugicat me kalldrëm, shtëpitë karakteristike prej guri, ballkonet prej druri dhe lulet shumëngjyrëshe tregojnë historinë e një fshati ku ndërthuren ndikimet shqiptare, osmane dhe veneciane.

Jo shumë larg ndodhet edhe qyteti antik i Finiqit, një tjetër dëshmi e pasurisë historike të jugut të Shqipërisë.

Në çdo portë që hapet dhe në çdo oborr të mbushur me lule, mikpritja mbetet një nga vlerat që banorët e Qeparoit e ruajnë brez pas brezi.

Numri në rritje i vizitorëve ka sjellë zhvillime edhe për bizneset lokale, ndërsa infrastruktura e përmirësuar e ka bërë fshatin më të aksesueshëm se më parë.

Ashtu si historia dhe peizazhi, edhe kuzhina është pjesë e identitetit të Qeparoit. Gatimet tradicionale përgatiten ende sipas recetave të trashëguara, me produkte të zonës dhe shije që të kujtojnë sofrën e dikurshme.

Mes kalldrëmeve që rrëfejnë histori, detit të kristaltë dhe mikpritjes që nuk ka ndryshuar me kalimin e kohës, Qeparoi mbetet një destinacion ku nuk viziton vetëm një vend, por përjeton një mënyrë jetese. Një fshat që vazhdon të ruajë shpirtin e tij, ndërsa mirëpret gjithnjë e më shumë vizitorë që largohen me dëshirën për t’u rikthyer.

/tvklan.al