Kryeministri Edi Rama i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese për zgjidhjen e mosmarrëveshjes së kompetencës së krijuar ndërmjet tij dhe Këshillit të Ministrave, nga njëra anë, dhe Gjykatës së Posaçme nga ana tjetër, lidhur me pezullimin e ushtrimit të detyrës së zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës, Belinda Balluku.

Kërkesa mbërriti pasditen e premtes në Gjykatë, e cila, pasi e regjistroi atë, përcaktoi gjyqtarin Sander Beci si relator të çështjes, që fillimisht do t’i nënshtrohet një shqyrtimi paraprak.

Krahas zgjidhjes së mosmarrëveshjes së kompetencës, kreu i qeverisë kërkon gjithashtu pezullimin e efekteve të vendimit të gjykatës dhe shfuqizimin e pjesës së masës ndaluese të pezullimit të ushtrimit të detyrës nga Balluku, si një akt që cenon garancinë e imunitetit të anëtarit të Këshillit të Ministrave, parimin e ndarjes së pushteteve dhe kompetencat e organeve që Kushtetuta ka caktuar si autoritete që propozojnë, emërojnë dhe miratojnë ministrat në detyrë.

Ishte vetë kreu i qeverisë ai që lajmëroi në konferencën me komisaren e zgjerimit, Marta Kos, se nga trupa e Kushtetueses kërkon të përgjigjet nëse kjo masë është ndërhyrje e një pushteti tek një tjetër pushtet i pavarur si ekzekutivi.

Vendimin e Gjykatës së Posaçme e quajti të paprecedent, por tha se qeveria do ta respektojë, duke mos bërë asnjë veprim politik kundër drejtësisë së pavarur, por duke kërkuar që vetë drejtësia të flasë për këtë rast unikal.

Në pritje të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, Rama qartësoi se nuk do të ketë asnjë zëvendësim të Ballukut në dy postet që mban në qeveri.

Kryeministri përsëriti disa herë se mazhoranca nuk do të ndërmarrë asnjë veprim që cenon drejtësinë e re, por e theksoi se kjo është një krijesë e re që po bën gabime që burojnë nga mungesa e eksperiencës dhe që ngjajnë me ato të drejtësisë së vjetër.

Për rastin konkret u pyet edhe komisionerja Kos, por tha se nuk donte të bënte komente dhe foli në përgjithësi për reformën e suksesshme në drejtësi që ka bërë Shqipëria.

Por Rama zgjodhi t’i vërë pikën fjalës së komisioneres dhe, duke kujtuar se në BE sipas tij nuk është standard europian që një ministre të pezullohet nga funksionet dhe një kryebashkiak në detyrë të mbahet në paraburgim.

Tv Klan

/tvklan.al