Vjero: Për faturat biznes me biznes procesi nis më 1 Korrik

Qeveria po sheh mundësinë që të shtyjë procesin e fiskalizimit për 46 mijë ndërmarrje të cilat kanë të ardhura vjetore deri në 10 milionë Lekë dhe nuk janë pjesë e zinxhirit të TVSH-së.

Në një intervistë për televizionin Klan, zv/ministrja e Financave Vasilika Vjero, thotë se diskutimet po bëhen për t’i dhënë më shumë kohë biznesit të vogël që të përgatitet për këtë proces. Për transaksionet biznes me konsumator, ligji parashikon si afat detyrues 1 Shtatorin, por së shpejti do të merret vendimi nëse do të ketë një datë të re.

“Është duke u parë mundësia që për ata tatimpagues të cilët nuk janë në skemën e tatimit mbi vlerën e shtuar të shihet mundësia që ky proces të shtyhet në kohë. Por ky propozim akoma nuk është materializuar me një akt ligjor”.

Por pjesa e 40 mijë bizneseve që kryejnë transaksione me njëri – tjetrin dhe jo me konsumatorin nuk do të ketë shtyrje. Ata duhet të lëshojnë fatura përmes platformës së re nga data 1 Korrik. Deri tani janë 4500 mijë ndërmarrje që përdorin softin e fiskalizimit.

“Për transaksionet që janë pa para në dorë, që nisin në datën 1 Korrik nuk është parashikuar asnjë shtyrje e afatit të fillimit të procesit të fiskalizimit”.

Zv/ministrja Vjero sqaron se fiskalizimi nuk do të thotë zëvendësim i kasës fiskale, pasi bizneset që kanë një pajisje kasë, mund ta përshatin atë me platformën e re dhe të instalojnë softwerin.

“Nuk mendohet që të ndërhyhet për të hequr kasat ekzistuese dhe për të vendosur platforma të reja. Do të ndodhë një përditësim i sistemit të kasave ekzistuese dhe këtë e ofrojnë kompani që janë të certefikuara për të ofruar sistemin e ri të fiskalizimit”.

Tatimet nuk do të kenë si qëllim penalizimin e bizneseve që gabojnë për shkak të problematikave që mund të nxjerrë sistemi i ri i lëshimit të faturave. Pritet që qeveria të miratojë një ndryshim ligjor i cili do t’i japë një afat moratorumi vendosjes së gjobave gjatë zbatimit të tij deri në përshtatjen përfundimtare të sistemit dhe bizneseve.

Tv Klan