Qeveria ka vendosur të fshijë automatikisht të gjitha gjobat të vendosura, nga data 1 janar 2015 deri më 30 nëntor 2024. Ato përfshijnë masa administrative të vendosura nga Policia e Shtetit, Policia Bashkiake, IKMT, AKU dhe Inspektorati Shtetëror Shëndetësor, ndaj individëve apo biznesve, por që janë të pambledhura.

Vendimi parashikon fshirjen e gjobave të vendosura për një periudhë 10-vjeçare pa qenë e nevojshme për asnjë aplikim nga qytetarët. Zbatimi i VKM-së prek 6 institucionet dhe konkretisht bëhet fjalë ato masa administrative të vendosura për kryerjen e ndërtimeve pa leje për qëllime banimi ose të aktiviteteve bujqësore në zonat rurale, si dhe për shkelje të rregullave të pandemisë Covid-19.

Çdo institucion përgjegjës, sipas ndarjes së kompetencave, duhet të identifikojë dhe dokumentojë të gjitha masat administrative që plotësojnë kriteret për shfuqizim dhe t’i çojë ato për miratim brenda 30 ditëve nga hyrja në fuqi e vendimit.

Subjektet që konstatojnë se masa ndaj tyre nuk është fshirë, mund të paraqesin kërkesë pranë institucionit përkatës për verifikim dhe heqje të saj. Këto masa synojnë lehtësimin e barrës administrative për qytetarët dhe bizneset në zonat rurale dhe rregullimin e situatave të mbartura ndër vite.

Tv Klan

/tvklan.al