Qeveria greke ka ndërmarrë një paketë të re masash që do të zbatohen gjatë muajve prill dhe maj, me një kosto totale rreth 300 milionë eurosh, për të përballuar rritjen e çmimeve të karburanteve.
Kryeministri Mitsotakis tha se synon lehtësimin e barrës për qytetarët dhe ekonominë e vendit. Masa kryesore parashikon subvencionimin e naftës me 16 cent për litër, që përkthehet në rreth 20 cent ulje në çmimin final. Paralelisht, qeveria greke ka rikthyer edhe Kartën Digjitale të Karburantit, e cila do të përdoret për furnizim me karburant, transport publik dhe taksi, për të amortizuar rritjen e çmimeve.
Për një konsum mesatar prej 70 litrash naftë në muaj, qytetarët përfitojnë rreth 50 euro për dy muaj në Greqinë kontinentale dhe deri në 60 euro në ishuj, ku kostot janë më të larta.
“Me subvencionimin me 16 cent për litër të çmimit të karburantit në rrjetin e shpërndarjes, përfitimi për konsumatorin do të arrijë në 20 cent për litër në çmimin përfundimtar.
Karta dixhitale e karburantit do të përdoret nga rreth 4 milionë drejtues mjetesh të transportit publik dhe të taksive. Kjo mbështetje llogaritet mesatarisht në 36 cent për litër karburant”, shprehet Kyriakos Mitsotakis, kryeministër i Greqisë.
Paketa e mbështetjes financiare përfshin edhe ndihmë për bujqësinë dhe transportin detar.
Shteti grek po ashtu do të subvencionojë 15% të shumës së faturave të blerjes së plehrave kimike nga fermerët.
Është vendosur një kompensim i veçantë edhe për kompanitë e transportit detar bregdetar, i cili do të lidhet me zbritjet e detyrueshme në çmimin e biletave për t’i mbajtur ato afër niveleve të vitit të kaluar.
Këto financime do të vijnë nga buxheti i shtetit, si dhe nga taksimi i fitimeve nga lojërat online.
Klan News
/tvklan.al












Botërori 2026 
