Mbi 13 mijë familje pronarësh kanë marrë kompensim financiar nga shteti për pronat e tyre të prekura nga ndërtimet informale. Qeveria ka miratuar fondin për shlyerjen e 30 përqindëshit të mbetur të kompensimit, duke e çuar procesin drejt përfundimit për mijëra subjekte.

“Ky është një lajm i mirë për shumë familje. Shteti shqiptar po shlyen plotësisht detyrimin ndaj pronarëve dhe po vë në vend përfundimisht të drejtën e tyre të pronës”.

Sipas Ministrisë së Drejtësisë dhe Agjencisë së Trajtimit të Pronave, fondi i miratuar kap vlerën e rreth 1.4 miliardë lekësh, i cili do të kalojë sot dhe në ditët në vijim në llogaritë bankare të përfituesve. Në listën e publikuar janë 3 527 subjekte që kompensohen plotësisht, ndërsa në total përfitimi shtrihet në mbi 13 mijë familje.

“Ky nuk është thjesht një akt financiar, por një akt drejtësie. Është respekt për pronën, për ligjin dhe për qytetarin”.

Autoritetet bëjnë me dije se 1.4 miliardë lekët është fondi aktual që po shpërndahet për këtë fazë të procesit. Kompensimi financiar për familjet e përfshira në këtë listë konsiderohet i përfunduar plotësisht, ndërsa procesi do të vijojë edhe për pronarët e tjerë që presin shlyerjen sipas ligjit. Në buxhetin e vitit 2026 Ministria e Financave ka parashikuar Fondin e Kompensimit në vlerë 3.5 miliardë lekë, me një shtesë prej 500 milionë lekësh krahasuar me vitin 2025.

Tv Klan

/tvklan.al