Qeveria ka mbyllur veprimtarinë e Kolegjit Universitar “Wisdom” në Tiranë, pas skandalit me shitjen e diplomave dhe çertifikatave false për të rinjtë italianë kundrejt çmimit që varionte nga 7 deri në 10 mijë Euro.

Vendimi u mor në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, i cili kërkon nga institucionet e arsimit të lartë që të pranojnë deri në 20 Nëntor aplikimet për transferimin e studentëve të kolegjit universitar “Wisdom” për vitin akadameik 2024-2025, në programe të njëjta apo të ngjashme studimi, ku plotësojnë kriteret ligjore.

Sakaq, qeveria kërkon që ky kolegj universitar krahas përgatitjes së dosjeve për çdo student, duhet të kthejë edhe pagesat e kryera për pjesën e papërfunduar të programeve përkatëse të studimit, për rastet kur ato janë janë kryer për cikël studimi, si dhe çdo detyrim tjetër të papërmbushur që mund të ketë ndaj studentit.

Me dyshimet e falsifikimit të diplomave, Prokuroria e Tiranës nisi në muajin Korrik hetimet për Kolegjin Universitar Uisdom, pas një padie të bërë nga ish-rektori, Bajram Hasa që pretendon se i është flasifikuar firma. 

Ndërkaq, autoritetet italiane kanë arrestuar dy administratorët e kolegjit, ku në pranga kanë rënë edhe 7 persona të tjerë të perfshirë në skemën e dhënies së diplomave false. Pjesë e hetimeve nga pala italiane janë përgjimet dhe vëzhgimet, të cilat do të kërkohen nga autoritetet tona me anë të letërporosive.

Tv Klan