Me një vendim të Këshillit të Ministrave ditën e enjte është vendosur zgjatja e afatit të vlefshmërisë së kartave të identitetit. Mësohet se afati i i vlefshmërisë së letërnjoftimit elektronik që përfundon më 25 Prill, pra ditën e zgjedhjeve, do të zgjatet deri në datën 30 Prill. Ky vendim vjen një muaj para zgjedhjeve të 25 Prillit.
Partia Demokratike i pati kërkuar më herët ministrit të Brendshëm, Bledi Çuçi shtyrjen e afatit të kartave të identitetit dhe pasaportave biometrike deri më 30 Prill.
Po ashtu edhe Presidenti Meta kishte kërkuar që afati i vlefshmërisë së letërnjoftimeve të skaduara të zgjatej deri më 30 Prill me qëllim që qytetarët shqiptarë të votojnë me to në zgjedhjet e 25 Prillit.
Vendimi:
“AKT NORMATIV PËR NJË NDRYSHIM NË LIGJIN NR.8952, DATË 10.10.2002, “PËR LETËRNJOFTIMIN ELEKTRONIK TË SHTETASVE SHQIPTARË”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 101 të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Neni 1
Neni 9/2, i ligjit nr.8952, datë 10.10.2002, “Për letërnjoftimin elektronik të shtetasve shqiptarë”, të ndryshuar, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Neni 9/2
Dispozitë kalimtare
Afati i vlefshmërisë së letërnjoftimit elektronik të shtetasve shqiptarë, që përfundon deri në datën 25 prill 2021, zgjatet deri në datën 30 prill 2021.”.
/tvklan.al