Qeveria miratoi në mbledhjen e kësaj të premte amnistinë penale, e cila, sipas ministrit të Drejtësisë, Besfort Lamallari, do të lirojë nga qelia mbi 400 persona dhe do të ulë dënimin për rreth 900 të tjerë.

Efektet e saj do të shtrihen edhe në pushimin e ndjekjes penale për mijëra procedime.

“Plot 447 persona përfitojnë lirim të menjëhershëm dhe 853 të tjerë ulje dënimi, ndërkohë që nga Shërbimi i Provës amnistohen 5 mijë e 77 të dënuar me masa alternative. Për më tepër, duke filluar nga viti 2024, pushohet ndjekja penale për plot 14 mijë procedime për vepra të lehta”.

Për Lamallarin, kjo amnisti është një qasje drejt riintegrimit të qytetarëve, pasi drejtësia nuk mund të jetë vetëm ndëshkim.

“Nuk bëhet fjalë për tolerancë ndaj krimit, por për një qasje të matur që synon riintegrimin dhe përdorimin më efikas të drejtësisë penale, teksa ne po punojmë për të ulur përdorimin e panevojshëm të paraburgimit, në përputhje me shqetësimet e drejta të ngritura nga Këshilli i Evropës, si dhe standardet evropiane”.

Ministria bëri të ditur se nga amnistia nuk përfitojnë subjektet e Prokurorisë dhe Gjykatës së Posacme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

Pas miratimit në qeveri, projektligji i amnistisë do të depozitohet në Kuvend, ku do të nisë shqyrtimi në komisionet parlamentare dhe më pas do të kalojë për miratim në seancë plenare.

Tv Klan


/tvklan.al