Qeveria miratoi të mërkurën rregulloren e re në nivel kombëtar për përdorimin e hapësirave publike. 70% e hapësirës do të jetë e lirë për këmbësorët dhe 30% për bizneset, për trotuaret që kanë gjerësi deri në 2 metra. Këto rregulla, sipas ministrit për pushtetin vendor Ervin Demo, prioritet kanë qytetarët.

Ministri Demo njoftoi miratimin e zonave prioritare për paketën e maleve në katër bashki të reja, ndërsa më shumë se 500 aplikantë kanë shprehur interes.

Një koment Demo e pati edhe për mundësinë e ndarjes së Shqipërisë në rajone, por nënvizoi se shumica ende nuk ka një variant konkret, duke shtuar se janë diskutime mbi modele të ndryshme.

“Në mbledhjen e grupit parlamentar janë diskutuar modele të ndryshme, nuk ka një qëndrim nga PS dhe aq më tepër brenda komisionit. Ne duhet të ecim përpara me procesin. Është normale që të gjithë jemi duke analizuar modele të ndryshme. Ne i referohemi më shumë specifikave të Shqipërisë dhe sfidave. Nuk ka një qëndrim”.

Në mbledhjen e grupit parlamentar, socialistët prezantuan katër modele të hartës së re territoriale, ndërsa demokratët, në dallim nga socialistët, sugjerojnë shtim të numrit të bashkive dhe rikthim të komunave.

Tv Klan

/tvklan.al