Mbi 777 mijë pensionistë në të gjithë vendin do të përfitojnë një bonus vere prej 5 mijë lekësh, që do të nisë të shpërndahet nga 1 korriku. Vendimi u miratua nga qeveria në kuadër të rishikimit të buxhetit të vitit 2026. Ministrja e Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, bëri të ditur se përfitues do të jenë pensionistët dhe personat me status invaliditeti, ndërsa kostoja financiare e kësaj mase arrin në rreth 3.7 miliardë lekë.
“Vendosëm të akordojmë bonusin e verës me vlerë 5 mijë lekë. Mbi 777 mijë pensionistë dhe personat me status invaliditeti do të përfitojnë nga kjo mbështetje. Efekti financiar është rreth 3.7 miliardë lekë.”
Përveç bonusit, qeveria ka miratuar fonde shtesë edhe për një sërë sektorësh socialë dhe shëndetësorë. Ministri i Financave, Petrit Malaj, njoftoi se shteti do të mbulojë sigurimet shoqërore dhe shëndetësore për kujdestarët e fëmijëve me aftësi të kufizuara, do të rrisë pagat e personelit të urgjencës mjekësore, do të financojë pagesën e orëve shtesë për zjarrfikësit dhe do të shtojë fondet për barnat onkologjike.
Qeveria ka vendosur gjithashtu të zgjerojë skemën e garancisë sovrane, duke e rritur fondin nga 3 në 5 miliardë lekë. Sipas ministrit Malaj, kjo mbështetje nuk do të kufizohet vetëm te fermerët, por do të jetë në dispozicion edhe të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme.
Ndërkohë, fonde të reja janë parashikuar edhe për pushtetin vendor. Ministri Ervin Demo bëri të ditur se 35 milionë euro do të investohen në përmirësimin e infrastrukturës bazë, ndërsa 30 milionë euro të tjera do të shkojnë për krijimin e një flote logjistike për bashkitë dhe për modernizimin e transportit urban.
Tv Klan
/tvklan.al












Botërori 2026 