Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka nisur procedurat për zgjidhjen e kontratës koncesionare të Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës. Burime nga kjo ministri i thanë Tv Klan se procedura nisi pas mosrespektimit të afateve të parashikuara për përfundimin dhe vënien në operim të projektit.

Konflikti mes dy aksionerëve të kompanive që po ndërtojnë një nga veprat më të rëndësishme infrastrukturore futi në ngërç investimin. Në muajin qershor ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi u kërkoi zyrtarisht të dyja kompanive që të zgjidhnin konfliktin brenda një muaji, ndryshe do të kishte sanksione sipas parashikimeve në kontratë deri në zgjidhjen e saj.

Ministria kishte bërë të ditur se Aeroporti Ndërkombëtar i Vlorës është një infrastrukturë me rëndësi strategjike për vendin dhe se funksionalizimi i tij përbën çështje të interesit publik dhe shtetëror. Në këtë kuadër, palëve të përfshira në kontratë iu ishte lënë një afat për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve tregtare që kishin penguar vijimin normal të projektit.

Punimet për ndërtimin e Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës nisën në nëntor të vitit 2021. Sipas kontratës, aeroporti duhej të përfundonte brenda rreth 3 viteve dhe të niste operimet gjatë vitit 2025. Një vit më parë kompania MABCO e biznesmenit Behgjet Pacolli dhe “2A Grup” e Valon Ademit u përfshinë në një seri procesesh gjyqësore që çuan deri në përplasje fizike në kantier.

Tv Klan

/tvklan.al