03 nëntor 2026- Policia spanjolle ka ndërmarrë sot një operacion për çmontimin e kampit të protestuesve, i ngritur prej disa javësh në sheshin “Puerta del Sol” në Madrid.

Gjatë ndërhyrjes, e cila përfshiu qindra efektivë, u arrestuan dy persona, bëri të ditur Delegacioni Qeveritar në Madrid përmes një deklarate.

Policia Kombëtare nisi në orët e mëngjesit largimin e protestuesve nga kampi, ku 334 persona u evakuuan.

Dy prej tyre u arrestuan, nën akuzat për mosbindje dhe rezistencë ndaj arrestimit. Sipas raportimeve, operacioni u zhvillua pa incidente të rënda dhe pa përdorim dhune.

Në aksion morën pjesë 220 efektivë të Policisë Kombëtare dhe 180 punonjës të policisë bashkiake, të mbështetur nga zjarrfikësit dhe shërbimet sociale.

Ndërkohë, ekipet e pastrimit të bashkisë nisën heqjen e çadrave dhe mbulesave të kampit, nën mbikëqyrjen e forcave të rendit.

Vendimi për largimin e protestuesve erdhi pasi disa prej komiteteve organizative kishin njoftuar të shtunën tërheqjen nga sheshi.

Në ditët e mëparshme, Delegacioni Qeveritar u kishte dërguar protestuesve dy njoftime, duke u kërkuar përfundimin e kampingut. Sipas autoriteteve, e drejta për lirinë e tubimit ishte ushtruar për një periudhë të mjaftueshme.

Përfaqësia e qeverisë qendrore e cilësoi çmontimin e kampit si një “masë të fundit”, duke iu referuar incidenteve që kishin ndikuar te vetë protestuesit dhe te zona përreth.

Kampi ishte ngritur më 26 shtator, pas një proteste kundër dëbimeve dhe pasigurisë së strehimit, e nxitur nga largimi me forcë i 87-vjeçares Maricarmen Abascal nga banesa e saj në Madrid.

E moshuara ndërroi jetë disa ditë pasi u detyrua të largohej nga shtëpia, ngjarje që nxiti aktivistët të organizonin protesta kundër dëbimeve dhe vështirësive për të siguruar strehim.

Sindikata e Qiramarrësve ishte organizata që udhëhoqi fillimisht kampin, i cili më pas u administrua nga disa komitete organizative.

/tvklan.al