Qyteti i Elbasanit është në përgatitjet e fundit për 14 Marsin, festën pagane të Ditës së Verës.

Atmosfera ndihet kudo në qytet. Punonjësit e bashkisë kanë instaluar zbukurimet në rrugët dhe sheshet kryesore të qytetit, ndërsa sektori i gjelbërimit i ka dhënë dorën e fundit hapësirave të gjelbra dhe mbjelljes së luleve të stinës.

Amvisat kanë dërguar tashmë në furrat e pjekjes ballakumet, ëmbëlsirën tradicionale të kësaj feste në Elbasan.

Bashkia e Elbasanit ka programuar dhe një sërë aktivitetesh. Çelja zyrtare e tyre ka nisur me koncertin e ansamblit Isuf Myzyri.

Sot u hap dhe panairi “Dita e Verës 2009” dhe në mbrëmje do të japë koncert një grup latin.

Slogani i bashkisë për sivjet është “Festë për të gjithë”. Kulmin festimet do ta arrijnë gjatë ditës së shtunë.

Në bulevardin kryesor janë planifikuar të zhvillohen krose masive dhe paradë e karnavaleve me nxënës të shkollave 9-vjecare të qytetit.

Më pas do të ketë një varg aktivitetesh artistike dhe kulturore, konkurs ballkanik të poezisë, lojëra popullore, valle, humor si dhe shumë ngjarje të tjera, të cilat do të mund të shijohen vetëm Ditën e Verës në qytetin e Elbasanit./tvklan.al

Gazetare: Anduena Llabani