Shqipëria çdo vit po bëhet gjithnjë e më e popullarizuar në mesin e turistëve polakë, megjithëse ende nuk është një vend i prekur nga turizmi masiv për të kaluar pushimet. Vendi ynë sipas radiostacionit polak “Radio Eska” tundon jo vetëm me çmime jo shumë të larta, por edhe me atraksione të mrekullueshme.

Sipas kësaj media Shqipëria është destinacion ideal për pushime sepse ka plazhe të bukura me ujra kristal dhe ka temperatura ideale. Plazhet më të njohura shqiptare janë ato të Ksamilit, Gjipesë, Dhërmiut, Borshit, Drimadhes, Jalë dhe Sarandës.

Ky i fundit është destinacioni më i pëlqyer nga turistët duke qenë se qyteti ofron shumë atraksione. Në Shqipëri turistët mund të shijojnë peizazhet e mrekullueshme të pasura me shkëmbinj, laguna, shpella dhe male. Në veri, turistët mund të provojnë Alpet Shqiptare ose të vizitojnë liqenin e bukur të Komanit.

Vizitorët rekomandohen të bëjnë një udhëtim në Gjirokastër, “Qyteti i Gurtë” dhe Berat “Qyteti i një mbi një dritareve”.

Të dy qytetet janë përfshirë në listën e UNESCO-s. Në artikull theksohet se akomodimi nëpër hotele dhe resorte vjen me çmime të arsyeshme po ashtu edhe ushqimi nëpër restorante. Falë jehonës së mediave polake shumë turistë nga ky vend kanë ardhur në vendin tonë.

233 000 mije hynë në vendin tonë gjatë periudhës Janar-Dhjetor 2023 duke pësuar një rritje me 40 përqind krahasuar me vitin 2022.

Klan News