Rusia ka ndërmarrë një nga sulmet më të mëdha ajrore të muajve të fundit ndaj Ukrainës, duke lëshuar qindra dronë dhe dhjetëra raketa në disa rajone, përfshirë kryeqytetin Kiev.

Si pasojë e sulmeve, të paktën katër persona kanë humbur jetën dhe mbi 80 të tjerë janë plagosur.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky deklaroi se objektivi kryesor i ofensivës ishte Kievi, ku shpërthime të fuqishme u dëgjuan gjatë gjithë natës. Sipas autoriteteve ukrainase, sulmet shkaktuan dëme të mëdha në ndërtesa banimi, shkolla, qendra tregtare dhe objekte të shërbimeve emergjente.

Në një nga goditjet më të rënda, një pallat 9-katësh në distriktin Shevchenko u përfshi nga flakët pasi u godit nga raketat, ndërsa persona mbetën të bllokuar edhe pranë një strehe antiajrore në një shkollë të kryeqytetit.

Forcat ajrore ukrainase njoftuan se Rusia përdori rreth 600 dronë dhe 90 raketa gjatë sulmit, ndërsa shumica e tyre u neutralizuan nga mbrojtja ajrore, shkruan BBC.

Moska deklaroi se gjatë ofensivës është përdorur edhe raketa hipersonike “Oreshnik”, e konsideruar si një nga armët më të avancuara të arsenalit rus. Kjo raketë, sipas raportimeve, lëviz me mbi 10 herë shpejtësinë e zërit dhe mund të mbajë si koka konvencionale ashtu edhe bërthamore.

Presidenti Zelensky tha se një raketë e tillë është përdorur kundër qytetit Bila Tserkva pranë Kievit, megjithëse autoritetet ukrainase ende nuk e kanë konfirmuar zyrtarisht këtë informacion.

Në një nga këto sulme, mbeti e dëmtuar edhe rezidenca ku banon ambasadori shqiptar në Kiev, Ernal Filo.

Sulmet e fundit vijnë në një moment tensioni të lartë mes Moskës dhe Kievit. Presidenti rus Vladimir Putin akuzoi Ukrainën për një sulm ndaj një konvikti studentor në Starobilsk, ku sipas tij humbën jetën 21 persona. Ukraina, nga ana tjetër, deklaroi se kishte goditur një objektiv ushtarak rus në zonë.

Përdorimi i mundshëm i raketës “Oreshnik” ka shkaktuar reagime edhe në Europë. Presidenti francez Emmanuel Macron dhe kancelari gjerman Friedrich Merz dënuan raportimet për përdorimin e saj, ndërsa shefja e diplomacisë europiane, Kaja Kallas, e cilësoi situatën si “një taktikë frikësimi politik dhe lojë të rrezikshme me kërcënimin bërthamor”.

Përveç Kievit, sulme janë raportuar edhe në rajonet Cherkasy, Kharkiv, Odesa, Poltava, Sumy dhe Zhytomyr, ndërsa ekipet e emergjencës vazhdojnë operacionet për nxjerrjen e të mbijetuarve dhe trajtimin e të plagosurve.