Raketa e gjeneratës së re Starship e kompanisë SpaceX ka arritur sot për herë të parë orbitën rreth Tokës gjatë një fluturimi provë, pavarësisht se një nga motorët e saj u fik në mënyrë të papritur

Kompania arriti ta menaxhojë me sukses këtë problem gjatë fluturimit, me misionin që përfundoi disa orë më herët nga sa ishte parashikuar fillimisht. Anija hapësinore Starship u ul me sukses në Oqeanin Paqësor.

Më pak se 25 minuta pas nisjes nga Teksasi në mëngjes, raketa më e madhe (me lartësi sa një ndërtesë 40-katëshe) dhe më e fuqishme e projektuar ndonjëherë, filloi të rrotullohej rreth Tokës dhe të lëshojë satelitët funksionalë Starlink për herë të parë.

Pas rreth 10 viteve zhvillim dhe tri viteve fluturime provë në konfigurimin e saj të plotë, ky fluturim i 14-të provë përbënte përpjekjen e parë për të arritur orbitën.

Shpejtësia prej 28,000 km/orë

Vendimi për të kryer shtytjen shtesë me qëllim arritjen e orbitës ishte i ndërlikuar, pasi humbja e kontrollit të mjetit gjigant në orbitë ngjallte frikën e dëmtimit të satelitëve të tjerë ose një rihyreje të pakontrolluar në atmosferë.

Fluturimet e mëparshme provë të Starship, të gjitha në trajektore nënorbitale, kishin përfunduar me shpërthime spektakolare, veçanërisht mbi Detin e Karibeve. Arritja e orbitës kërkon fuqi dhe rezistencë të jashtëzakonshme.

Në këtë fluturim, SpaceX synonte një orbitë rrethore rreth 275 kilometra mbi sipërfaqen e Tokës, gjë që kërkonte që Starship të arrinte një shpejtësi prej rreth 28 mijë kilometrash në orë.

Misioni, i cili ishte parashikuar të zgjaste rreth dhjetë orë, përfshinte gjithashtu lëshimin e 26 satelitëve Starlink të gjeneratës së re nga pjesa e sipërme e raketës, me synim përforcimin e rrjetit të saj gjigant të internetit satelitor.

/tvklan.al