Të paktën një duzinë vullnetarësh të huaj që shërbenin në ushtrinë e Ukrainës humbën jetën fundin e muajit të kaluar, kur një raketë ruse goditi mensën e një kampi trajnimi gjatë orarit të drekës, në një nga sulmet më vdekjeprurëse ndaj luftëtarëve të huaj që nga fillimi i luftës, raporton The New York Times.
Sulmi ndodhi më 21 korrik pranë qytetit qendror ukrainas Kropyvnytskyi dhe shënjestroi rekrutë të rinj nga SHBA, Kolumbia, Tajvani, Danimarka dhe vende të tjera. Sipas një ushtari amerikan nga Florida, i cili ishte në vendngjarje, shpërthimi shkaktoi viktima të shumta, me trupa të pajetë dhe të plagosur rëndë të shtrirë pranë mensës.
Sulmi ndezi gjithashtu një depo municionesh, duke provokuar shpërthime të tjera dhe duke hedhur copëza metali në ajër. Mungesa e paralajmërimit nga sirenat e alarmit dhe mungesa e mjeteve të ndihmës së shpejtë pranë mensës kanë ngritur pikëpyetje mbi sigurinë e kampit, i njohur si “Camp Krop” dhe i përdorur nga legjioni ndërkombëtar nën agjencinë e inteligjencës ushtarake të Ukrainës (HUR).
Ushtria ukrainase ka konfirmuar viktimat, por pa dhënë shifra zyrtare. Një hetim është duke u zhvilluar, ndërsa autoritetet ushtarake kanë njoftuar se trajnimi do të zhvendoset në ambiente të mbrojtura nëntokësore “sa më shumë të jetë e mundur”.
Që nga fillimi i luftës në shkallë të plotë në vitin 2022, qindra luftëtarë të huaj janë bashkuar me forcat ukrainase, të motivuar nga ideali i mbrojtjes së demokracisë apo nga pagat, që variojnë nga 1 mijë deri në 1 mijë e 750 dollarë në muaj, plus bonuse lufte që mund të kalojnë 3 mijë dollarë. Pjesëmarrja e luftëtarëve të huaj nuk është e re: edhe Rusia ka rekrutuar trupa të huaja, përfshirë mijëra ushtarë nga Koreja e Veriut.
Sulmet ndaj qendrave të stërvitjes nuk janë të rralla. Në muajin e parë të luftës, një goditje me raketa në bazën Yavoriv pranë kufirit polak vrau dhe plagosi dhjetëra rekrutë ndërkombëtarë. Ngjarje të ngjashme kanë ndodhur edhe ndaj kadetëve ukrainas, përfshirë një sulm vitin e kaluar në Poltava që vrau mbi 50 persona.
Komandanti i përgjithshëm i ushtrisë ukrainase, Oleksandr Syrsky, paralajmëroi se ushtarët duhet të reagojnë menjëherë ndaj alarmit të sulmeve ajrore dhe dronëve armikë, duke pranuar se grumbullimi i trupave në hapësira të pambrojtura mbetet një objektiv i lehtë për raketat ruse. /tvklan.al












Botërori 2026 
