Pas ditësh debati juridik mbi pagat, mbledhjes së përgjithshme të prokurorëve dhe gjyqtarëve, magjistratët shkuan në derën e Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë. Kjo e fundit shqyrtoi këtë të premte dy kërkesa, të bëra nga Gjykata e Posaçme dhe ajo e Durrësit, për sigurim padie, duke pezulluar zbatimin e urdhrit të Ministrisë së Financave që çoi më pas në moskalimin e pagave të tyre për muajin gusht.
Përmes këtyre vendimeve, Gjykata Administrative urdhëron ekzekutimin e listëpagesave të dërguara nga këto gjykata deri në shqyrtimin në themel të kërkesave për shfuqizim të këtij urdhri. Por, gjykata e Durrësit dhe GJKKO nuk janë të vetmet që i janë drejtuar kësaj gjykate administrative, pasi me radhë edhe rrethet e tjera gjyqësore, përfshirë Gjykatën e Posaçme të Apelit, kërkojnë zhbllokimin e pagave dhe më tej shfuqizimin e plotë të urdhrit të Ministrisë.
Në kërkesat e dorëzuara, magjistratët argumentojnë se kontrolli financiar i ligjshmërisë së shpenzimit është një funksion i ligjshëm dhe i domosdoshëm, por nuk mund të shndërrohet në mekanizëm për të pezulluar një akt në fuqi. Lidhur me këtë debat të ditëve të fundit, ka reaguar në platformën X edhe Kryeministri Edi Rama, pasi Gjykata Administrative urdhëroi Financat të zbllokojnë pagat për GJKKO-në dhe Gjykatën e Durrësit.
“Sikur Gjykata Administrative të kishte standard për çdo qytetar apo institucion në hall, shpejtësinë e skëterrës me të cilën paska vepruar sot për të hapur dyert e thesarit për rritjen e rrogave të veta pa miratimin e parlamentit, unë besoj se çdo shqiptar i punësuar do ishte gati t’ia falte një gjysmë rroge vrapuesve fluturakë të Gjykatës Administrative… Por të marrësh sa hap e mbyll sytë masën e parë të sigurisë në historinë e botës, jo për të ndaluar por për të nxitur për interesin vetjak ekzekutimin e një akti që me gjasë cenon ligjin dhe interesin publik, ndërkohë që mijëra e mijëra dosje hallesh presin me vite në sirtarët e gjykatës në fjalë, kjo është diçka tejet turbulluese!”
Ndërkohë Rama ka publikuar edhe një tabelë me të dhënat ku nënvizon se pagat e reja të kërkuara pësojnë rritje prej rreth 51%.
“Ja edhe në tabelën bashkëngjitur çfarë kërkon Gjykata Administrative në dyert e thesarit të shtetit pa kaluar fare nga parlamenti, ndërkohë që e përsëris: Dyert e thesarit të shtetit i hap vetëm pushteti i pavarur legjislativ dhe Kuvendi i Shqipërisë do të bëjë detyrën e tij për këtë temë, në respekt të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, ditën e enjte 17 shtator”.
Prej datës 3 shtator, pagat e magjistratëve u bllokuan në thesarin e shtetit, pasi Ministria nuk pranoi formulën e re të pagave të tyre, të përcaktuar nga KLGJ dhe KLP. Njëherësh, Ministria e Financave theksoi se vetëm shtesat do t’i kushtojnë buxhetit të shtetit 40 milionë euro në vit.
Klan News
/tvklan.al












Botërori 2026 