Në një takim me përfaqësues të Policisë së Shtetit për të riorganizuar të gjithë strukturën të organizatës dhe vendosur prioritete të qarta, Kryeministri Edi Rama i dha drejtuesve të policisë 100 ditë kohë për të realizuar të gjitha ndryshimet e kërkuara prej tij.

Ai kërkoi që punonjësit e policisë të përfshirë në afera korruptive, ryshfeti dhe ata oficerë që “luajnë me dy porta”, të largohen nga radhët e uniformave blu dhe të dalin përpara përgjegjësisë penale.

Keni 110 ditë kohë për ta rivënë të gjithë trupën në angazhim maksimal nga i pari tek i fundit. Asnjë ditë më shumë. Që qytetarët të marrin frymë shumë të lehtësuar duke e parë Policinë e Shtetit në një nivel tjetër. Asnjë shkencë, asnjë shpikje, asnjë luftë me të panjohur, thjesht dhe vetëm gjërat që i dini, gjërat që njerëzit duan si themelin e marrëdhënies me shtetin.

Kjo duhet bërë në respektin e vetes, masës dërrmuese të trupës që është korrekte dhe nuk ka pse t’i paguajë kostot një pjesë që duhet zhdukur nga Policia e Shtetit dhe duhet të shkojë përpara përgjegjësisë. Në çdo qark në 100 ditë duhet të jepen shembuj të qartë, nuk mund të ketë komisarë që luajnë me dy porta dhe ju nuk e keni fare problem as t’i kapni. Ky është një objekt i palëvizshëm në çdo qark”, tha Kryeministri Edi Rama.

Në mbledhjen e zhvilluar në ambientet e Kryeministrisë, shefi i qeverisë renditi 5 prioritetet e Policisë së Shtetit. Ndër to renditen raporti i punonjësve të policisë me qytetarët, kontrolli mbi territorin, zbatimi i ligjit, revolucioni teknologjik dhe përmirësimi i Komisariatit Dixhital.

Nëse do rendisja prioritetet me numra do thoja prioriteti numri 1 është raporti me qytetarin që kërkon që patrullat e rendit, forcat Shqiponja, Policia Rrugore dhe kufitare të hyjnë në një proces shkundje shumë të fortë dhe lëvizjesh shumë domethënëse për të promovuar oficerë policie si ju vetë që jeni promovuar dhe keni marrë besim të ri dhe garantuar që marrëdhënia me qytetarin të jetë A dhe ZH e vlerësimit për çdo punonjës.

Mjaftojnë shumë pak individë që flasin përçart për ta degraduar imazhin e të gjithëve. Nuk janë të gjithë punonjësit e Shqiponjave, e Patrullës së Përgjithshme, e policisë rrugore apo kufitare që ndalojnë njerëzit në rrugë për lekë, janë shumë pak prej tyre por janë mjaftueshëm për ta degjeneruar imazhin e atyre bashkë.

Prioriteti numër 2 është kontrolli i plotë mbi territor për mbrojtjen pa kompromis të pronës publike dhe mjedisit. Nuk mund të zhvillohen veprimtari të paligjshme mbi trupin e Shqipërisë. Policia e shtetit është gardiane. Të gjithë ju duhet të godisni pa mëshirë. Operacioni i nisur dhe ndërprerë përkohësisht për shkak të sezonit që do vazhdojë në Shtator, duhet të jetë operacion permanent për shembjen dhe pastrimin e ndërtimeve pa leje në gjithë zonën turistike dhe zonat sensitive.

Leximi i vëmendshëm i Kodit penal thotë se pas çdo ndërtimi pa leje ka një përgjegjësi penale. Nuk ka rëndësi nëse ndërtimi pa leje u kap tani apo u kap nesër. Nuk mund të shkohet në territorin e bregdetit të konsumohen gjithë ata trupa dhe në fund kostot ti marri shteti dhe popullit për të pastruar inerte. Kodi penal thotë që jo iniciatorët, jo pronarët e firmës zbatuese, por çdo person i përfshirë në ndërtim pa leje është subjekt i ligjit.

Priotriteti numër 3 është lufta kundër dopio standardit në zbatimin e ligjit. Policia duhet të jetë shembull i këtij fakti. Duhet ta mësojnë të gjithë që kjo gjë nuk duhet të jetë vetëm e detyrueshme por dhe mundur. Çfarë do të thotë kjo që 28 mijë kilometër katror që kontrollohen metër për metër, të bëhen veprime të jashtëligjshme haptas. Unë jam me ju për sa i përket shifrave të ulura të kriminalitetit.

Prioriteti numër 4 lidhur me avancimin të revolucionit teknologjik. Policia ka një flotë të re mjetesh por ka nevojë për mbështetje të fortë, monitorim teknologjik të territorit. Për këtë arsye po punojmë intensivisht që të realizojmë monitorimin me kamera të rrugëve kryesore dhe përmes teknologjisë ti spostojë trupat nga rrugët. Po ashtu shtrirjen e sistemit të kamerave të trupit, edhe pajisjen apo vënien në dispozicion të superkenologjisë me dronët super inteligjent për monitorim të territorit që të jap informacion në kohë reale për çdo kultivim kanabisi, çdo problem trafik, çdo lëvizje mjetesh dhe forcash kriminale, për çdo tokë bujqësore. Edhe këtë ne duhet ta bëjmë dhe do t’ja u vëmë në dispozicion.

Dhe prioriteti i fundit është vënia në përdorim i komisariatit dixhital. Ka qenë një ndihmë shumë e madhe tani kemi mundësi ta çojmë në një nivel tjetër që çdo qytetar atë komisariat ta ketë në xhep dhe të jetë syri juaj dhe partneri juaj në drejtim që të kryeni me shumë efikasitet detyrën tuaj. Do të përmend një element që është shqetësues; denoncimet për dhunën në familje. Është shumë shqetësues që Policia e Shtetit ka ndjeshmëri të ulët ndaj këtij fenomeni, që në komisariate të caktuara shpërfillen klithmat e grave që dhunohen në familje, shpërfillen totalisht vuajtjet dhe dhimbjet e patregueshme të atyre që mund të ishin gratë të secilit prej jush dhe prej nesh. Kjo është e pakomentueshme. Duhet ndërtuar brenda për brenda gjithë sistemit një rrjet me persona përgjegjës, jo një çështje midis çështjeve të tjera. Duhet të caktoni persona përgjegjës që të merret me dhunën në familje. Nuk mund të ketë mirëkuptim me burrat në këtë fushë“, deklaroi Kryeministri Edi Rama.

*Rama: Pronarët e lokaleve në bregdet, tutorët që korruptojnë Policinë e Shtetit

Kryeministri Edi Rama në takimin e Policisë së Shtetit ka komentuar ngjarjet e fundit kriminale që kanë ndodhur në bregdet. Në një takim me drejtuesit e Policisë së Shtetit, Rama tha se rasti i plagosjes së pronarit të një lokali nate në Sarandë ishte për të nisur ndjekje penale për të gjithë policinë e këtij qyteti.

Më tej komentoi dhe muzikën që vijon gjatë natës në qytetet bregdetare, duke thënë se pronarët e lokaleve që nuk zbatojnë urdhrat janë turoeët dhe korruptuesit e policëve.

Dhe për më tepër sot kur ne jemi tanimë në sezon turistik dhe numri i lartë i pushuesve është domethënës, të kemi policinë përmes individësh të padenjë që t’i shkojnë kundër detyrimit të të gjithëve bashkë për t’i pritur dhe sajdisur të gjithë pushuesit sipas traditës më të mirë shqiptare që pretendon të bëhet kampion i  turizmit në Ballkan; mungesë etike, komunikim, implikime në veprime abuzive janë shfaqje të neveritshme që duhen luftuar pa asnjë kompromis dhe me zero tolerancë.

Këtu dua të nënvizoj një fakt që në vetvete është sfidues për ligjin, për shtetin, për Policinë e Shtetit. Kush janë këta pronarë lokalesh në zonën bregdetare që në mënyrë të hapur shkelin ligjin, tejkalojnë kufirin e orës policore, krijojnë hapësirë abuzivizmit që degjeneron deri në krisma dhe plagosje në mes të një dynjaje të tërë që është mbledhur aty në lokal. Kush janë këta? Ua them unë.

Këta janë tutorët e policisë së shtetit në ato territore. Këta janë korruptuesit e policisë së shtetit. Këta janë abuzuesit më të mëdhenj  me uniformën e Policisë së Shtetit që tërheqin për hunde policisë, shefa komisariatesh duke i kthyer në roje të aktivitetet të tyre të paligjshëm. Rasti i Sarandës ishte alarmant. Ai rast duhet të çonte në ndëshkimin penal të gjithë zinxhirit të komandës në Sarandë, jo në hetimet administrative e masa ordinere. Por përjashtimi ndëshkimi penal të personave përgjegjës.  Nuk mundëm të ndahemi nga opinioni publik kur Policia e Shtetit, e Sarandës lejon një arenë zhurme, ahengu, shëmtie pas mesnatës që mbaron me plumba“, tha Rama.

*Rama kritika Policisë Rrugore: Presioni mbi shoferët për të marrë ryshfet është i neveritshëm

Kryeministri Edi Rama ka kritikuar ashpër Policinë Rrugore. Në një takim me drejtuesit e policisë, kreu i qeverisë u shpreh se  presioni mbi qytetarët për të marrë ryshfet është një sjellje e neveritshme që duhet të ndalohet.

Më tej ka inkurajuar SHÇBA-në që të vijojë dhe të hetojë të gjitha rastet e shkeljeve që bëjnë policët.

“Lëndimet e imazhit të saj nga rishfaqja kohët e fundit e rasteve të korrupsionit të vogël sidomos të policia rrugore janë të patolerueshme. Dua të vlerësoj rolin e SHÇBA dhe njëkohësisht ta nxis publikisht SHÇBA që të veprojë shumë më fort ndaj këtyre rasteve. Ne e kemi rritur edhe në harmoni me pritshmërinë e qytetarëve rolin ndëshkues të policit rrugor ndaj shkeljeve në rrugë.

Është e papranueshme që kjo të shërbejë si një mundësi e re për të ushtruar presion mbi drejtuesit e automjeteve për qëllimin e neveritshme të përfitimit të ryshfetit dhe e pajustifikueshme që me gjithë rritjen e forcës ndëshkues të policit rrugor qytetarët të mos ndjejnë një ndryshim thelbësor në disiplinën e qarkullimit rrugor. Vetë strukturat e policisë dhe SHÇBA konstatojnë se në punën e komisariatet rastet e denoncimeve të qytetarëve nuk trajtohen me përgjegjësinë e duhur dhe në kohën e duhur“, tha Rama.

*Rama: Patrulla e Përgjithshme dhe Shqiponjat kanë kapërcyer rolin e tyre

Kryeministri Edi Rama takimin e me strukturat e policisë së Shtetit e ka nisur me kritika. Në fjalën e tij kreu i qeverisë tha se efektivët e Patrullës së Përgjithshme dhe të Shqiponjave kanë një sjellje që tejkalojnë rolin e tyre.

Rama u bëri thirrje të gjithë policëve që të tregohen më etikë me qytetarët, pasi siç tha komunikimi është shumë i rëndësishëm.

Pritshmëria dhe pakënaqësia e qytetarëve është në një nivel domethënës. Pritshmëria lidhet me domosdoshmërinë që Policia e Shtetit të japë rezultate në çdo hap e më domethënëse pakënaqësi shkon bashkë me pritshmërinë.

Dua ta nis këtë renditje të problematikave nga raporti i policisë së shtetit me qytetarët, që është A dhe ZH-ja e jetës së përditshme. Është e pajustifikueshme që rastet e referuara të mungesës së etikës në komunikimin me qytetarët sidomos nga ana e forcave Shqiponja dhe Patrulla e Përgjithshme të cilat shpesh e kapërcejnë edhe vetë rolin e tyre të shënohen si raste të rritura.

Rritja e rasteve të mungesës së etikës në komunikim me qytetarët është shumë domethënëse për ta kuptuar situatën e përgjithshme psikologjike dhe nivelin e përgjithshëm të mobilizimit të forcave të policisë që janë në kontaktin e vazhdueshëm me hallet, nevojat dhe ankesat e qytetarëve. Imazhi shumë pozitiv i ndërtuar në këto vite i Policisë së Shtetit nuk mund të cënohet e aq më pak të lëndohet duke afektuar gjithë Policinë e Shtetit në optikën e opinionit publik“, ishte kjo një pjesë e fjalës së Ramës.

/tvklan.al