Edi Rama e ka të qartë se Bashkimi Evropian nuk do të pranojë asnjë anëtar të ri nëse nuk plotësohen kriteret. Në një intervistë për televizionin austriak, ORF, kryeministri i Shqipërisë deklaroi se konfliktin Rusi-Ukrainë rizgjoi procesin e integrimit.
“Diçka shumë e rëndësishme ka ndryshuar, konteksti gjeopolitik në Evropë. Dhe për fat të keq, ”ndihma” e Vladimir Putinit ishte e nevojshme për të rinisur shpejt proceset e integrimit që ishin lënë pas dore”, tha Rama.
Nuk pret asnjë lehtësim në këtë rrugë drejt anëtarësimit të plotë pa përmbushur detyrat
“Nga një perspektivë gjeopolitike, është e nevojshme që BE-ja të forcojë radhët e saj dhe të pranojë anëtarë të rinj në mënyrë që të jetë e plotë. Por kjo, sigurisht, lidhet me aftësinë dhe gatishmërinë e vendeve kandidate për të qenë në nivelin e kërkuar. BE-ja mund të ushtrojë presion politik për të përshpejtuar procesin e afrimit, por nuk do të pranojë askënd që nuk i plotëson të gjitha kriteret”, shprehet Rama.
I pyetur nëse administrata shqiptare do të jetë në gjendje të bëjë gati të gjithë përshtatjen e legjislacionit në dy vjet e gjysmë deri në 2027, Rama e sheh me optimizëm, duke e cilësuar një mundësi historike.
“Është e vërtetë që dy vjet e gjysmë është një kohë shumë e shkurtër dhe se kjo nuk është tipike për procesin. Por, nga ana tjetër, ne punuam shumë dhe u përgatitëm. Dhe tani kemi në përdorim edhe inteligjencën artificiale, e cila përshpejton transferimin e ligjeve të BE-së dhe të të ashtuquajturës ”acquis communautaire” në sistemin tonë ligjor. Procesi i anëtarësimit është një mundësi historike, por nuk është një mundësi që do të zgjasë përgjithmonë nëse nuk jemi në gjendje të përmbushim kërkesat”, thekson kreu i qeverisë.
Për vendet skeptike mbi zgjerimin e unionit, Rama mendon se parësore në këtë moment është realizimi detyrave
“Unë besoj se sot duhet të përqendrohemi në përmbushjen e angazhimeve tona. Nuk duhet të mendojmë për ndeshjen e radhës, por për atë që po luajmë aktualisht. Dhe kjo lojë ka të bëjë me përmbushjen e të gjitha angazhimeve tona për të përfunduar negociatat. Pas negociatave, marrëveshja u dërgohet të gjitha shteteve anëtare, ku parlamentet normalisht kryejnë ratifikimin. Në rastin e Francës, do ta shohim kur të vijë momenti i vendimit”, thotë Rama.
Për kreun e qeverisë shqiptare, Ballkani Perëndimor ka problemet e veta, por nuk ka qenë kurrë më e mirë se sot. Sipas tij, procesi i afrimit me BE-në po ndihmon shumë në zgjidhjen e problemeve të caktuara.
Ndërsa plani i tij në mandatin 4-vjeçar është vetëm një.
“Bashkimi Evropian, Bashkimi Evropian, Bashkimi Evropian”, thotë Rama.
Më 22 Maj në Bruksel do të mbahet Konferenca e Pestë Ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian, ku pritet të hapet grupkapitulli i tretë i negociatave.
Klan News