Shqipëria është në pritje që 27 vendet anëtare të BE-së të miratojnë raportin Ibar, ose të njohura ndryshe si piketat e ndërmjetme, pjesë e metodologjisë së re të anëtarësimit që aplikohet për Shqipërinë për herë të parë. Kryeministri, që i ka shprehur hapur pakënaqësitë e tij ndaj burokracisë europiane, e cilëson të ngadalta metodat që ndjek Brukseli dhe të mbushura me pengesa, por gjithsesi Edi Rama vlerëson anën pozitive të këtij procesi, që është përmirësimi i shtetit ligjor në Shqipëri.

“BE-ja është një bekim për ne; roli i saj është shumë i dobishëm për ndërtimin e institucioneve dhe ajo di si ta bëjë këtë. Është procesi më neurotik i mundshëm, por funksionon. Falë kësaj, ne kemi ndryshuar. Duhet të bëjmë atë që duhet të bëjmë. Dhe do të vazhdojmë, sepse kështu përmirësohemi”.

Në bashkëbisedim me ish-ambasadorin italian në Tiranë, Fabrizio Bucci, që tani drejton selinë diplomatike në Berlin dhe ishte i ftuar për të prezantuar punimet e tij artistike në këtë ambasadë, kryeministri Rama përsëriti atë që thotë gjithmonë pas nisjes së luftës Rusi-Ukrainë: se ky konflikt ndërgjegjësoi Brukselin se zgjerimi është i domosdoshëm.

“Bashkimi Europian ka ndryshuar qëndrimin e tij themelor që nga agresioni i Putinit kundër Ukrainës: “Më parë, ata thoshin fjalët e duhura, por nuk vazhdonin me veprime. Kur erdhi pushtimi, ata e kuptuan se të gjitha palët jashtë bllokut mund të humbisnin”.

Gjatë bashkëbisedimit, sipas agjencisë së lajmeve ANSA, diskutimet janë ndalur padyshim edhe tek kryeministri-artist, arsye që e çoi Ramën të enjten në Berlin, ku nga data 1 deri më 27 qershor disa punime të tij do të jenë të ekspozuara në galerinë Société me titullin “Chrysalizing”.

Tv Klan

/tvklan.al