Kryeministri Edi Rama këmbëngul se anëtarësimi në Bashkimin Evropian është stacioni i shpëtimit kombëtar të shqiptarëve. Teksa iu përgjigj komentit kritik të një prej ndjekësve në rubrikën “Sy m’Sy”, sipas së cilit Shqipërisë nuk i duhet BE dhe që shprehet se “më mirë në shtëpinë tonë vetëm ne se bëhemi Pakistan”, Rama tha se shqiptarët e kanë provuar në shekuj përçmimin në kurriz.

“Unë besoj se një shqiptar kurrë s’duhet të flasë me përçmim për askënd tjetër se ne e kemi provuar padrejtësinë e përçmimit në kurriz. E kemi provuar me shekuj dhe gjyshërit tanë i treguan mbarë botës fisnikërinë e shqiptarit duke rrezikuar jetën për të marrë në mbrojtje hebrenjtë edhe pse shumica dërrmuese e tyre ishin myslimanë, atëherë kur bota mbarë i braktisi dhe i la të piqen në hellin e mizorisë raciste”.

Bashkimi Evropian, sipas kreut të qeverisë, është sot një mundësi reale dhe e prekshme për shqiptarët.

“E kemi  të realizueshme për veten dhe për fëmijët tanë dhe për fëmijët e fëmijëve tanë dhe për fëmijët e tyre. Vetëm si pjesë e BE-së liria jonë individuale do të jetë përfundimisht e garantuar, barazia jonë para ligjit do të jetë përfundimisht e paprekshme dhe standardet e bashkëjetesës demokratike do të jenë përfundimisht të pakthyeshme dhe të mishëruara në institucione”.

Pasaporta e BE, sipas Ramës, do t’i bëjë shqiptarët, qytetarë me të drejta të barabarta që nga studimet tek punësimi dhe deri tek përkujdesja shëndetësore në çdo vend të BE-së.

“Në 10 vite Shqipëria mori mbështetje nga BE diçka më shumë se 1 miliard euro. Me hyrjen në BE të njëjtën mbështetje prej më shumë se 1 miliard euro do ta marrim çdo vit. Imagjino për shembull se si do ta pësojë fshati, bujqësia si do ta pësojnë fermerët. 300 milionë euro minimumi në vit do të na vijnë nga BE për ta”.

Përsëriti ftesën për votuesit që më 11 Maj të zgjedhin Partinë Socialiste.

“Ti si individ me kokën lart. Shqipëria e gjitha si shtet kryelartë me flamurin atje në Bruksel në rresht si Albania bashkë me të gjitha shtetet e tjera e barabartë mes të barabartëve”.

Edhe slogan i fushatës së socialistëve këtë herë është “Me ne në BE, me ata në kënetë”.

Klan News